Kërcënohet demokrati i Bashës, i drejtuan armën 32-vjeçarit, policia nis hetimet

schedule18:43 - 11 Tetor, 2024

schedule 18:43 - 11 Tetor, 2024

Policia e Shkodrës, ka nisur hetimet, për një ngjarje të shënuar mbrëmjen e të enjtes në zonën e Pedonales, ku dy persona dyshohet se i kanë drejtuar armën 32-vjeçarit Arlind Bushati.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 minuta, ku dy personat të cilët lëviznin me një motor, janë afruar pranë tavolinës ku ndodhej Arlind Bushati dhe disa miqtë të tij.

Një prej autorëve të dyshuar, pa zbritur për asnjë çast nga motori, ka nxjerr një armë në dukje automatike, dhe ja ka drejtuar Arlind Bushatit, por nuk është regjistruar asnjë e shtënë.

Kjo situatë ka krijuar panik, tek qytetarët që ndodheshin në lokalin ku qëndronte Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, ku ky I fundit ka qenë kandidati i Partisë Demokratike, për kryetar bashkie në Shkodër për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022.

Ndërkohë të premten, 32-vjeçari Arlind Bushati, i është drejtuar policisë së Shkodrës, duke kallëzuar për ngjarjen. Në deklaratat që ka bërë, Bushati ka thënë se nuk ka mundur të shquaj asnjë prej autorëve pasi në kokë mbanin skafandat e motorit, ndërsa ka shtuar se nuk ka konflikte të hapura.

Policia e Shkodrës ka sekuestruar pamjet e sigurisë në ambientin ku ndodhi ngjarja, por deri tani nuk ka mundur të identifikojë autorët.

Kujtojmë se në mars të vitit 2022, babait të Arlind Bushatit, Xhemal Bushatit, iu vendos eksploziv në një godinë që kishte në pronësi në pedonalen e Shkodrës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!