Kërcënimi kibernetik rus, zyrtari i NATO kundër sjelljes së SHBA-së

schedule21:55 - 8 Mars, 2018

schedule 21:55 - 8 Mars, 2018

Shtetet e Bashkuara nuk po koordinojnë veprimet e tyre me Europën për t’i bërë kontrast agresionit kibernetik rus. Denoncimi është bërë nga një zyrtar i lartë i NATO-s, i cili ka raportuar me tone pesimiste në Senatin amerikan.

Komandanti suprem i NATO-s në Europë ka deklaruar të enjten se qeveria amerikane nuk po vepron në mënyrë efikase për t’i bërë ballë kërcënimit kibernetik rus.

“Jam i mendimit se nuk ka një ndërveprim të koordinuar për të arritur rezultate konkrete”, ka deklaruar gjenerali Curtis Scaparrotti.

Deklaratën e tij ushtaraku i lartë e ka bërë gjatë një raportimi në komisionin për Forcat e Armatosura të Senatit amerikan, ku është pyetur posaçërisht për përpjekjet e Uashingtonit në frenimin e agresionit kibernetik rus. Scaparrotti u ka thënë ligjvënësve se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj këtij problemi është apatik.

“Në këndvështrimin tim perspektiva në situatën aktuale nuk është aspak pozitive. Personalisht nuk jam aspak i kënaqur”, ka thënë gjenerali.

Muaj më parë, agjencitë amerikane të inteligjencës dolën në përfundimin se Rusia ishte përpjekur përmes infrastrukturës së saj kibernetike të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale për të nxitur fitoren e Trump. Nga ana e saj Moska zyrtare mohon çdo ndërhyrje, ndërsa Trump mohon bashkëpunimin e stafit të tij me rusët.

Ligjvënësit amerikanë, kryesisht demokratët, e kanë akuzuar disa herë administratën e presidentit se nuk po bën sa duhet për të luftuar krimin kibernetik./abcnews.al