Kërcënimet nga Kina, SHBA forcon aleancat në Indo-Paqësor

schedule19:33 - 1 Gusht, 2024

schedule 19:33 - 1 Gusht, 2024

Shtetet e Bashkuara po forcojnë ndjeshëm aleancën e tyre në Indo-Paqësor mes kërcënimeve të sigurisë që paraqet Kina. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewll nga Tokio, Pentagoni e ka përmirësuar ndjeshëm komandën ushtarake në Japoni. Por sa të gatshme janë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për të vepruar në rast konflikti?
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 54 mijë trupa të dislokuara në Japoni, me shumicën e tyre në Okinawa. Baza ajrore Kadena është më e madhja që ka Amerika në Paqësor.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i Pentagonit, Lloyd Austin, zhvilluan bisedime të dielën me homologët japonezë, ndërsa njoftuan një ndryshim të madh në çështjet e mbrojtjes.

“Shtetet e Bashkuara do të riorganizojnë forcat amerikane në Japoni në një shtab të përbashkët të forcave me misione dhe përgjegjësi të zgjeruara operacionale”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Komanda e re do të drejtohet nga një gjeneral me tre yje, thotë për Zërin e Amerikës Kunihiko Miyake me Institutin e Politikës së Jashtme.

“Kjo do të thotë se amerikanët janë vërtet seriozë për të luftuar përkrah Japonisë. Kundër kujt? Unë nuk e di. Ndoshta mund të duhet të luftojnë kundër kujtdo që dëshiron të ndryshojë me forcë status quo-në”.

Masat e reja synojnë të përmirësojë më tej Komandën e Operacioneve të Përbashkëta në Japoni, thotë Grant Newsham me Qendrën për Politikat e Sigurisë

“Është një hap i parë i mirë, drejt vendosjes së amerikanëve dhe japonezëve në një pozitë ku ata mund të luftojnë së bashku. Por mbetet për t’u parë. Është e rëndësishme se sa autoritet do të ketë, çfarë njësish dhe çfarë përgjegjësie do të ketë në rast të një emergjence?”

Vitin e kaluar Japonia njoftoi planet për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes në rreth 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2027. Zoti Newsham thotë se ushtria japoneze fillimisht ka nevojë për investime të mëdha për armët, logjistikën dhe rekrutimin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!