Kërcënimet nga Hezbollahu, pjesë e jetës së përditshme për banorët izraelitë

schedule15:32 - 24 Shtator, 2024

schedule 15:32 - 24 Shtator, 2024

Sulmet e Hezbollahut me raketa në veri të Izraelit kanë shtuar frikën e banorëve të qyteteve izraelite përgjatë kufirit me Libanin. Një pjesë e tyre thonë se sirenat dhe sulmet me raketa janë bërë pjesë e jetës së përditshme. Banorët e qytetit veriperëndimor të Naharijas shpresojnë që lufta e Izraelit me Libanin do të përfundojë së shpejti dhe do të jetë një përmirësim të jetës atje.

Njerëzit që jetojnë ose punojnë në Naharija, në veriperëndim të Izraelit, thanë të martën se përshkallëzimi i sulmeve me raketa nga Hezbollahu me bazë në Liban ka rritur frikën dhe stresin, por shumë prej tyre theksojnë se kjo nuk është një gjë e re për banorët e këtij rajoni.

Për 22-vjeçaren Albina Chemodakov, e cila punon në një dyqan në Naharija, sirenat dhe kërcënimet për sulmet me raketa janë bërë pjesë e jetës së përditshme.

“Pavarësisht sulmeve me raketa për gati një vit, ne shkojmë në punë dhe jeta ende vazhdon. Është e frikshme të jetohet kështu, por kjo është jeta në Izrael”, thotë ajo.

Uri Hayo, një 76-vjeçar në pension thotë se izraelitët janë mësuar me luftërat rajonale, që ndodhin çdo disa vjet.

“Çfarë mund të them? Jemi mësuar me këto situata. Çdo 5, 10 apo 15 vite sërish fillon një luftë. Lufta kundër terroristëve dhe guerileve është e vështirë”, thotë ai.

Por 53-vjeçari Yehuda Kidron e sheh situatën nga një pikëpamje më pozitive, duke thënë se banorët duhet të kujdesen për veten e tyre duke ndjekur këshillat e Komandës së Frontit të Brendshëm të Izraelit.

“Besoj se lufta do të përfundojë brenda një muaji. Besoj se kjo luftë do zgjasë edhe tre javë të tjera, sepse lufta e fundit me Libanin në vitin 2006 zgjati vetëm 28 ditë. Kjo besoj se do të mbarojë pas tre javësh dhe gjithçka do të jetë më mirë, ne do të mund të jetojmë më mirë këtu”, thotë ai.

Pas gati një vit lufte kundër Hamasit në Rripin e Gazës në kufirin e tij jugor, Izraeli tani po përqëndrohet në kufirin e tij verior, ku Hezbollahu ka hedhur raketa në drejtim Izraelit për të shprehur solidaritetin me Hamasin. Hezbollahu dhe Hamasi, që janë shpallur organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara, mbështeten nga Irani.

Qeveria e Izraelit përballet me presionin publik për të siguruar kufirin verior dhe për t’i kthyer në mënyrë të sigurt banorët e atyre zonave në shtëpitë e tyre, një përparësi kryesore e luftës.

Forcat izraelite goditën objektivat e Hezbollahut në Libanin jugor dhe grupi i mbështetur nga Irani sulmoi objektet ushtarake në Izraelin verior të martën, duke rritur frikën për një konflikt në shkallë të gjerë, një ditë pasi sulmet izraelit në Liban shkaktuan numrin më të madh të viktimave brenda një dite në disa dekada./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!