Këpucët e mëdha, guri “fajtor” dhe rrengu me ujë: Ndriçim Shtubina “Në kohën e ABC-së”

schedule20:00 - 24 Maj, 2021

schedule 20:00 - 24 Maj, 2021

Nga Vladimir Prenga

Më 18 mars ka mbushur 34 vjeç dhe duket sikur ka një jetë të tërë që luan futboll. Flasim për Ndriçim Shtubinën, një emër të njohur të futbollin tonë, produkt i Vllaznisë së Shkodrës. “Xholi”, i cili ka provuar të luajë edhe në krahët e mbrojtjes dhe në një mesfushë me tre në qendër, golin e paharrueshëm e ka shënuar me fanellën e Skënderbeut.

“Goli i parë në Superiore është ai që nuk e harroj kurrë. Luhej Skënderbeu-Partizani dhe unë isha pjesë e ekipit të Skënderbeut. S’mund ta harroj kurrë atë gol, pasi ishte goli im i parë si profesionist”, tregon Shtubina, i cili nuk dëshiron të veçojë trajnerë të caktuar për ndikimin që kanë patur tek ai.

“Mund të përmend disa emra, pasi nuk mundem t’i veçoj”, shton Messi i Vllaznisë, i cili liston emrat e Armando Cungut, Mirel Josës, Agim Canajt, malazezit Dervish Haxhiosmanovic, Gentian Mezanin, Sulejman Starovën, Besnik Prengën dhe së fundmi Gugash Maganin. Për të ardhur deri këtu Shtubina ka kaluar shumë gjëra.

 

Ai i rrëfen të gjitha në rubrikën “Në kohën e ABC-së”, teksa fillimisht tregon si nisi e gjitha. “Kam nisur të luaj futboll në moshën 9 vjeçare në Shkodër”, shprehet Ndriçimi, i cili sigurisht ka luajtur ku ka mundur, në fushat lagjeve dhe të shkollave. Mjaftonte një top, kurse për këpucët me taka nuk ishte e lehtë t’i gjeje si doje.

“E mbaj mend si sot kur e kam blerë topin e parë dhe këpucët me taka. Ishte një emocion shumë i veçantë. Këpucët i kam blerë 3 numra më të mëdha dhe i vishnja 2 palë çorape”, rrëfen Shtubina, i cili me futbollin është dashuruar kur në Europë shkëlqente një emër i madh, Luiz Nazario Da Lima.

“Fanella e parë e imja ishte ajo e Brazilit, fanella e Ronaldo Fenomenit”, shton shkodrani, i cili sikurse kuptohet i ka shpëtuar ndikimin gjerman të qytetit verior. Duke u rritur, pasioni për futbollin vetëm rritej dhe babai i Shtubinës, i cili nuk jeton më tani, mendoi t’ia jepte një dorë djalit të tij.

 

“Babai im më ka çuar në stërvitje për herë të parë. Ishte ai që më shtyu drejt futbollit. Kisha shumë emocione ditën e parë, kur takova trajnerët. I pari që më ka stërvitur ishte Menduh Dedja, pastaj edhe Beb Qefa.

Më kujtohet gjithçka. Ishte ditë vere kur shkova për herë të parë në stërvitje. Stërviteshim te Fusha e Lëkurave dhe është ekzistuese. Tani quhet “Reshit Rusi”, ku ka luajtur edhe Vllaznia për disa kohë”, tregon sulmuesi anësor, i cili që i vogël e kishte një dëshirë të madhe që i kishte lindur teksa shihte në “Loro Boriçi” ndeshjet e Vllaznisë.

“Ishte ëndërr për mua kur e shikoja Vllazninë ne stadium. Flisja me vete kur shikoja ndeshjen dhe mendoja nëse do vinte dita që ta vishja edhe unë ta vishja fanellën kuqeblu”, kujton Shtubina, i cili nuk harron edhe fjalët që trajneri i tij i thoshte kur ishte fëmijë.

 

“Nuk e harroj kurrë, trajneri me thoshte që duhet të mësoja në shkollë. Edhe më komplimentonte, duke më thënë se jam lojtar shumë i mirë, pasi i i përdor të dyja këmbët”, shprehet Shtubina, i cili në kokën e tij mendonte gjithmonë si të shkonte te porta dhe të shënonte gol.

Në brezin e futbollistit të Egnatias kishte elementë të mirë, por Shtubina ishte i vetmi që ia doli. “Kisha shumë shokë të mirë, të cilët mund të ishin bërë futbollistë. Gjithsesi nga ajo skuadër kam dalë vetëm unë, pasi gjithkush ndoqi ëndrrën e vet.

Nga brezi mbaj mend disa shok që më pëlqenin se si luanin, si David Lleshi, Markens Shllaku, Ritvan Curri. Këto kishin shumë të ardhme, por nuk u treguan të durueshëm me futbollin”, deklaron Ndriçimi, i cili tregon edhe atë që i hapte më shumë probleme kur luante me moshat.

 

“Ishin 2 vëllezër, ishin binjakë dhe njeri luante si qendërmbrojtës. Ai ishte shumë i fortë dhe i shpejt.  Ia mbaj mend edhe emrin, Landi quhej”, rrëfen Shtubina, i cili nuk ka qenë grindavec, edhe pse ndonjë lojë shokëve të skuadrës ia bënte.

“Ishim në autobus me skuadrën dhe një shokut tim i bëra një lojë me ujë, që e detyroi atë më pas që të rrinte në mbathje gjithë udhëtimin, për shkak se ishte i lagur dhe nuk ulej dot”, shton 34-vjeçari, i cili mbetet pas në kohë dhe tregon një ngjaje të çuditshme. Sigurisht jo për atë kohë.

“Mbaj mend dikur, që rrjetat e portave i mbanin me gurë mbrapa. Unë bëra gol dhe topi ra në gur dhe u rikthye në fushë. Ishte gol, por arbitri ma anuloi sepse nuk e pa mirë”, tregon Shtubina, i cili kur ishte fëmijë si shembuj i shikonte të gjithë lojtarët e Vllaznisë dhe në veçanti Armir Grimën, ish-portierin e kuqebluve.

 

Shtubina ka qenë shumë i lidhur me babanë e tij, i cili e ndiqte në çdo ndeshje. Ai ka qenë edhe mbështetja më e madhe për t’u bërë futbollist, sikurse tregon shkodrani, i cili ëndrrën e kishte një dhe të vetme: “Vllaznia ishte skuadra e ëndrrave të mia”.

Pasi luan e luan futboll me shokët, provon të stërvitesh, vesh fanellën e moshave të Vllaznisë, normalisht edhe e mendon që pasioni yt të kthehet në profesion. Shtubina e kuptoi se mund t’ia dilte kur ishte 18 vjeç.

“Kur isha 18 vjeç, bëmë një ndeshje kontrolli me ekipin e parë të Vllaznisë. Aty pashë që mund të luaja si profesionist, pasi bëra disa driblime kundër lojtarëve më të mëdhenj se unë. E doja me zemër diçka të tillë dhe ia dola”, përfundon Shtubina, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar te Vllaznia, ndërkohë që është aktivizuar edhe me skuadra si Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi, Laçi dhe së fundmi tek Egnatia. / abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!