Kenia/ Vdekja masive e anëtarëve të kultit, viktimave u mungonin organet

schedule18:57 - 9 Maj, 2023

schedule 18:57 - 9 Maj, 2023

Organet mungonin në disa prej trupave të gjetur në pyllin Sakahola të Kenisë juglindore, ku anëtarët e një sekti të krishterë ishin mbledhur për të agjëruar deri në vdekje, sipas një dokumenti gjyqësor që ngre dyshime për “trafikim organesh”.

Më shumë se 100 trupa, shumica e të cilëve fëmijë të vegjël, janë gjetur deri më tani në hetimet për “Masakrën e Pyjeve të Sakaholës”. Zbulimet kanë shkaktuar tmerr, por edhe shumë pikëpyetje në Kenia.

Sipas ekzaminimit postmortem të 112 trupave, shumica e viktimave vdiqën nga uria, me shumë gjasa pasi kishin ndjekur urdhrat e Paul Dhenge Mackenzie, të vetëshpallurit “pastor” të Kishës Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë, i cili i nxiti ata të agjëronin deri në vdekje “për të takuar Jezusin”.

Por disa nga viktimat u mbytën ose u rrahën, sipas mjekut ligjor Johansen Oduor. Autopsitë zbuluan gjithashtu se disa prej viktimave u mungonin organet.

Drejtoria e Hetimeve Kriminale (DKI) flet për një “ tregti të mirëkoordinuar të organeve njerëzore, ku përfshihen shumë aktorë”, pa detaje të mëtejshme.

DCI kërkoi ngrirjen e llogarive bankare të një tjetër pastori të famshëm, Ezequiel Odero, i cili u arrestua më 28 prill në të njëjtin rast, por u lirua me kusht të enjten e kaluar. Otero dyshohet se ka marrë “shuma të mëdha” që erdhën nga paratë e paguara nga besnikët e Mackenzie pasi “pastori” u kërkoi atyre të shisnin asetet e tyre.

Një gjykatë në Nairobi urdhëroi të hënën ngrirjen e të paktën 20 llogarive të Onteros për 30 ditë.

Zhvarrosjet, të cilat ishin ndërprerë për shkak të motit të keq, rifilluan sot në Sakahola. Policia është në kërkim të 20 varreve të reja masive që “mund të përmbajnë shumë viktima”, tha ministri i Punëve të Brendshme Kiture Kidiki, e cili ishte sot në vendngjarje.

“Kam frikë se kanë shumë varre të tjera në këtë pyll dhe kjo na çon në përfundimin se ishte një krim i organizuar mirë”, shtoi ministri.

Deri më sot, 65 persona janë gjetur të gjallë, në Sakahola, por në gjendje shumë të keqe.

“Ajo që po përjetojmë sot në Sakahola është një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi ynë”, tha Kidiki.

Paul Dhenge Mackenzie, një ish-shofer taksie që u deklarua pastor rreth 20 vjet më parë, po ndiqet penalisht për “terrorizëm”. Gjykata në Mombasa pritet të vendosë nesër nëse do t’ia zgjasë masën e paraburgimit për 90 ditë atij dhe 17 të bashkëakuzuarve të tij. Mes të pandehurve është edhe bashkëshortja e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!