KENIA- Rreth 95 nxënëse në Kenian perëndimore janë shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje misterioze, duke çuar në mbyllje të shkollës për një kohë të pacaktuar.
Zyrtarët thanë se 95 nxënëse në shkollën e mesme të vajzave, që ndodhet 374 kilometra në veriperëndim të Nairobit, u shtruan në spital për shkak të sëmundjes që preku institucionin. Nuk dihet ende për çfarë sëmundje bëhet fjalë.
Sipas raportimeve të mediave lokale, nxënëset thuhet se po vuajnë nga një sëmundje e cila ua paralizon këmbët, duke i lënë shumicën prej tyre të paaftë për të ecur.
Vendimi për mbylljen e shkollës është marrë pas një takimi mes administratës së shkollës dhe zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Shkolla tha se qindra nxënës të prekur do të lejohen të kthehen në shkollë pasi situata të vlerësohet me kujdes dhe të merren masat e nevojshme, raporton Anadolu Agency.
Mbetet e panjohur natyra e saktë e sëmundjes misterioze, por zyrtarët shëndetësorë thanë se mostrat e gjakut nga nxënëset e prekura janë dërguar në laboratorët e Institutit të Kërkimeve Mjekësore në Kenia (KEMRI) për të përcaktuar natyrën dhe origjinën e sëmundjes dhe për të zhvilluar protokollet e duhura të trajtimit.
Gjithashtu u kërkua që prindërit e nxënësve të jenë vigjilentë dhe të monitorojnë nga afër shëndetin e fëmijëve të tyre, teksa zyrtarët shëndetësorë punojnë për të identifikuar shkakun e sëmundjes.