Kenia, 6 të vdekur në protestat antiqeveritare kundër rritjes së taksave

schedule22:38 - 12 Korrik, 2023

schedule 22:38 - 12 Korrik, 2023

Të paktën gjashtë persona u vranë të mërkurën në qytete të ndryshme në Kenia, në demonstratat antiqeveritare për të protestuar ndaj taksave të reja të vendosura nga Nairobi.

Pavarësisht ndalimit nga autoritetet, demonstratat u zhvilluan normalisht.

“Kemi tre të vdekur në Mlolongo, afër kryeqytetit, ku një grup protestuesish bllokuan rrugën dhe kemi gjithashtu dy të vdekur në Kitengela dhe një në Emali, qytete 30 dhe 120 kilometra nga Nairobi”, tha një burim policor.

“Disa u vranë kur u përleshën me oficerët e policisë që ishin vendosur për të shuar trazirat”, tha një burim, duke shtuar se anëtarët e forcave të urdhrit ishin plagosur gjithashtu.

Në fillim të korrikut, presidenti William Ruto miratoi një projekt-ligj që vendos taksa të reja, pavarësisht kritikave nga opozita dhe reagimit të qytetarëve të goditur nga inflacioni i lartë. Ligji parashikon rritjen e TVSH-së për karburantet nga 8 në 16%. Gjithashtu, do të bëhen zbritje nga paga për të financuar një program strehimi të përballueshëm. Fillimisht parashikohej që mbajtja në burim të arrinte në 3%, por përfundimisht u ul në 1.5% të pagës.

Demonstratat e sotme u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku të parët hodhën gurë dhe këta të fundit u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Gaz lotsjellës u hodh në lagjen e varfër Mathare të Nairobit dhe në qytetin bregdetar të Mombasa në Kenia jugore.

Kreu i opozitës Raila Odiga, i cili ka kandiduar disa herë pa sukses për presidencën, akuzoi policinë se “qëlloi, plagosi dhe vrau protestues kryesisht në Nairobi”. “Tubimet po vazhdonin në mënyrë paqësore derisa policia vendosi t’i thyejë me plumba dhe gaz lotsjellës,” tha ai në një konferencë për shtyp që dha.

Të premten e kaluar të paktën gjashtë persona u vranë në protestat kundër qeverisë së Presidentit Ruto. Organizatat joqeveritare folën për represion të dhunshëm nga policia.

Kreu i policisë kombëtare ndaloi të martën tubimet e sotme të organizuara nga opozita me arsyetimin se autoritetet nuk ishin informuar paraprakisht. Ai madje u bëri thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në këto “demostrata të paligjshme”.

Koalicioni Azimio i Raila Odinga-s, i cili pretendon se Ruto ka “vjedhur” fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, planifikon të mbajë protesta javore kundër politikës së qeverisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!