Me ardhjen e talebanëve në pushtet në Afganistan jeta ka ndryshuar krejtësisht. Si nata me ditën. Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Një muzikant afgan ka rrëfyer se i ka shkatërruar të gjitha instrumentet e tij tani që talebanët kanë marrë pushtetin.
Luajtja e instrumenteve muzikorë ishte e ndaluar kur talebanët sunduan për herë të fundit Afganistanin dhe ditët e fundit, disa njerëz të kapur duke dëgjuar muzikë janë ndëshkuar brutalisht, shkruan BBC.
“Abdul” (emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetet) thotë se para se talebanët të merrnin pushtetin, ai ishte i lirë të zhvillonte koncerte, pasi luajtja dhe mësimi i muzikës lejohej.
“Ne ishim shumë optimistë për të ardhmen dhe kurrë nuk mund të parashikonim që një ditë gjithçka do të mbaronte. Është njëlloj si të jesh i lirë dhe pastaj të kthehesh në burg” shpjegoi ai.
Kur ishte më i ri, bëri çmos për të blerë instrumentet e tij tani ai mendon se e ardhmja e tij është e humbur.
“Njerëzit kanë frikë se talebanët nuk kanë ndryshuar dhe do të rrahin gratë, muzikantët, artistët dhe këdo që nuk pajtohet me ta”, thotë ai.
“Unë i shkatërrova instrumentet e mia sepse familja dhe miqtë e mi thonë se në regjimin taleban, ata i rrihnin njerëzit nëse gjenin vegla muzikore në shtëpitë e tyre.
Unë nuk mund të luaj më muzikë. Duhet të heq dorë nga ajo që kam dashur gjithmonë të bëj. Unë duhet të heq dorë nga ëndrrat e mia të fëmijërisë.
Muzika tani ka pushuar së luajturi në vend, TV dhe radio mund të transmetojnë vetëm përmbajtje fetare”, shpjegon ai, duke thënë “në Afganistan, muzika po vdes”./ Abcnews.al