“Këmisha kushton pak…”! Provat e tenderit të uniformave që çuan 9 zyrtarë pas hekurave: Ka risk

schedule23:51 - 14 Korrik, 2021

schedule 23:51 - 14 Korrik, 2021

SPAK zbuloi dhe çoi pas hekurave tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe një në arrest shtëpie me në krye ish-shefen e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari në lidhje me tenderin e uniformave të policisë së shtetit.

E ndërsa hetimet vazhdojnë dhe shanset janë që të tjerë zyrtarë të përfundojnë nën akuzë, “ABC” në dosjen e siguruar ka zbuluar të tjera detaje nga çështja të cilën e “zbërtheu” inxhinierja Aurora Mulla, pjesë e Policisë së Shtetit.

Në dosjen e siguruar nga gazetari Ermal Vija evidentohet fakti që drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu ishte në dijeni të procedurës dhe çmimeve.

Por për cfarë bëhet fjalë konkretisht?

Pjesë e dosjes është edhe një shkresë që mban datën 20 gusht të vitit të kaluar, të cilën Ardi Veliu ia ka dërguar Edlira Naqellarit, që asokohe ishte në krye të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara. Veliu në shkresë ngre disa problematika mes të cilave, kryesorja çmimi dhe mospërputhje logjike mes artikujve.

Në disa artikuj çmimi i ofruar është i ulët, gati nën kosto. Ekziston një mos përputhje mes logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar si në rastin e këmishës me mëngë të gjata që kushton më pak se ajo me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra, kostumi i motoçiklistit kushton më pak se kostumi i patrullës.

Xhupi treçereksh kushton më pak se xhupi i shkurtër, këpuca e dimrit gjysma kushton më shumë se këpucët taktike. Gjithashtu vërehen ofertime të çmimit më të lartë kur sasia e prodhimit është më e madhe, gjë që në industrinë e prodhimit për volume më të mëdha ofrohen çmime më të ulëta dhe anasjellas” shkruan Veliu.

Gjithashtu, thotë më tej SPAK, Veliu shkresës drejtuar Naqellarit i ka bashkëngjitur edhe tabelën e çmimeve të ofruara “në mënyrë jo korrekte nga njësia e prokurimit” thuhet më tej.

Ai ka edhe një paralajmërim kur thotë se “prania e këtyre çmimeve përveçse është risk për cilësinë e produktit do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit në të ardhmen” mbyllet shkresa.

Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në 1 shtator, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara i thotë se lidhja e kontratës është përgjegjësi e vetë autoritetit kontraktor.

Ky ka qenë komunikimi i fundit zyrtar mes këtyre institucioneve sipas dosjes dhe më pas është lidhur kontrata, e cila sipas SPAK ka disa shkelje dhe për këtë arsye 9 zyrtarë përfunduan nën akuzë, teksa 8 janë pas hekurave./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!