Avokati Idajet Beqiri deklaroi në “Ora e Fundit” në ABC News se ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mbajnë përgjegjësi penale për ngjarjet e “21 Janarit”, që çuan në vdekjen e katër protestuesve.
Beqiri e cilësoi ngjarjen si “krim çnjerëzor” dhe tha se kallëzimi penal ndaj tyre është nisur nga SPAK-u mbi bazën e provave që avokati dhe bashkëpunëtorët e tij kanë depozituar. Sipas Beqirit, provat janë të pakontestueshme dhe përfshijnë dokumente dhe dëshmitarë që do të dorëzohen në kohën e duhur.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Basha mund të përballet me akuzat për bashkëpunim në vrasje, që mund të sjellin dënim deri në burgim të përjetshëm.
“Kam thënë që Berisha do të marrë burgun e përjetshëm për ‘21 Janarin’. Është një krim çnjerëzor, që nuk e përshkruan dot me fjalë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend që kryeministri i vendit të vrasë qytetarët e vet, sepse në emër të fjalët së lirë dhe demokracisë, protestuan për një aferë. Dolën në protestë edhe për votën e lirë, sepse Berisha i vriste. Ai thotë që të vriten, dhe e pranon vetë. Kallëzimi penal është konkret, kundër Berishës dhe Bashës, ku thuhet që këta janë urdhërues të vrasjes. SPAK e ka nisur kallëzimin penal në bazë të provave që ne kemi dhënë.
Basha nuk vajti në SPAK si një person që ka dije, por si ish-ministër i Brendshëm. Basha në SPAK u vu në dijeni të provave që janë të pakontestueshme dhe që është pjesë e asaj dosje dhe do të mbajë përgjegjësi. Basha bashkë me Berishën e kanë komanduar të dy situatën, kanë qenë të dy në Kryeministri, ndërkohë që duhet të ishte në Ministrinë e Brendshme në krye të detyrës. Basha është bashkëpunëtor të vrasjes së 4 protestuese të “21 Janarit”.
Basha shumë shpejt do të jetë në pozitën e të pandehurit, ku mbi të do të rëndojnë veprat e vrasjeve të cilësuara, që mund të shkojnë deri në burgim të përjetshëm. Ai është bashkëpunëtor. Kemi dhe prova të reja që do të jenë bombë, që do të dorëzohen në kohën e duhur. Nuk do të ketë vetëm prova/dokumente, por edhe dëshmitarë të tjerë”, tha Beqiri.

