Siç dihet tashmë “grupi i ferrit”, në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024 do të jetë pikërisht grupi ku bën pjesë edhe Kombëtarja e Shqipërisë, ku përveç “Legjionarëve” tanë, shorti na vuri përballë bashkë me katër herë fituesit e Kupës së Botës, Italinë, “La Furia Roja” spanjolle dhe “gjigantët” e Kroacisë.
Së fundmi për këtë short ka folur edhe ish-“gardiani” legjendar, Gianluigi Buffon, por kësaj radhe, në rolin e shefit të delegacionit të Italisë, teksa është shprehur se pret që “Të Kaltërit” të mos bëjë një figurë të shëmtuar në Evropian, edhe pse e pranoi se Grupi B është shumë i vështirë e më tej shtoi se detyra e tij është të ndërmjetësojë mes futbollistëve dhe trajnerit Spalletti.
“Roli im në kombëtare është shef i delegacionit, por unë në fakt nuk komandoj askënd. Unë nuk komandoj as në shtëpinë time, imagjinoni në kombëtare. Ajo që bëj më shumë është ndërmjetësuesi mes trajnerit dhe lojtarëve. Për mua është kënaqësi pasi ky post mbahej nga një legjendë si Vialli.
Grupi në Evropian? Jemi një kombëtare me shumë djem serioz, të përulur dhe të lumtur që do të luajnë në Evropian. Është një grup i fortë ai që kemi, por jam i sigurt se si do të shkojnë gjërat, figurë të shëmtuar nuk do të bëjmë”,- u shpreh ish-fituesi i Kupës së Botës, me Italinë, në Botërorin e Gjermanisë 2006. /i.m /abcnews.al