“Kemi gabuar shumë”, Pirlo: Interi më i uritur se ne, momenti t’i mposhtim

schedule17:54 - 14 Maj, 2021

schedule 17:54 - 14 Maj, 2021

Juventusi luan ndeshjen më të rëndësishme të sezonit nesër në mbrëmje. Në Torino zbarkojnë kampionët e Interit, sfidë që nis prej orës 18:00. Fitorja është detyrim për bardhezinjtë, të cilët shpresojnë të gabojë dikush mes Atalantës, Milanit dhe Napolit.

Kualifikimi në Champions League është vështirësuar shumë dhe djemtë e Andrea Pirlos nuk e kanë në duart e tyre realizimin e objektivit të rëndësishëm. Trajneri i Juventusit foli në konferencën për shtypin rreth duelit ndaj “armatës” së Antonio Contes.

Nuk e di nëse Interi ka një kontingjent lojtarësh më të mirë se i yni. Sigurisht që ata u shfaqën më të uritur se ne, por nuk mund të them se cila skuadër ka grupin më të mirë. Të dy skuadrat janë shumë të mirë, por ata u treguan më të aftë dhe fituan titullin.

Unë di vetëm një gjë: nesër duhet të luajmë një ndeshje të rëndësishme, njësoj si ajo ndaj Sassuolos. Luajtëm si skuadër, edhe pse vinin nga një humbje e shpifur me Milanin. Reagimi ishte i duhuri, mos harroni që nuk e kishim aspak të lehtë“.

Më pas një analizë rreth asaj çfarë nuk ka funksionuar dhe gabimeve të shumta që ka bërë Juventusi këtë sezon. “Më vjen keq që na ka munguar vazhdimësia. Në raste të caktuara na ka munguar kompaktësia e nevojshme për të mbledhur edhe më shumë pikë.

Kemi pasur rënie tensioni, ndodh kur të mungon zjarri i brendshëm. Gabimet? Kanë qenë të shumta, më sillen akoma nëpër kokë. Në fund të sezonit do të ulem të bisedoj me stafin tim, për të parë se çfarë kemi bërë mirë dhe ku kemi dështuar.

Sigurisht që edhe unë gabuar, por harrojeni që mund të vij këtu dhe të flas në lidhje me këtë temë“, deklaron Pirlo, i cili po has vështirësi në sezonin e parë si trajner profesionist. Në fund një koment edhe për formacionin që do të zbresë në fushë ndaj Interit.

Alex Sandro do të luajë në mbrojtje, për të tjerët ka kohë për të vendosur, pasi duhet të rikuperojmë ende energjitë e shpenzuar ndaj Sassuolos. Chiesa? Federico ndihet mirë, po e merr veten dhe besoj se do të jetë i gatshëm për lojë“, përfundoi Pirlo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!