Në kulmin e aksioneve për shtesat pa leje, kryeministri Edi Rama ka denoncuar gjyqtarin Hazbi Balliu, i cili sipas tij, në mënyrë të paligjshme ka kaluar në pronësi të një ndërtuesi një pallat të konfiskuar nga shteti në Tiranë.
Njëjtë si prokurorja Gjeli, edhe gjyqtari Balliu thotë Rama ka vepruar në dëm të interesave të shtetit dhe komunitetit.
Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit, si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranë dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre.
Sipas Ramës, ky është një ndër ato raste kur institucionet e drejtësisë nuk duhet të heshtin por të ndërmarrin masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët po shpërndorojnë besimin që iu është dhënë.
Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi. Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit, për këto e shumë thika të tjera pas shpinës që Republika jonë dhe plot qytetarë të saj marrin nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët paguhen prej taksave të shqiptarëve më shumë e shumë më shumë se sa të gjithë rrogëtarët e tjerë të këtij shteti.
Kryeministri thotë se prioritet i mandatit të katërt është drejtësia me standarte europiane edhe si angazhim ndaj qytetarëve që I besuan drejtimin e vendit edhe për katër vite.
Mandatin e fortë për ta bërë Shqipërinë 2030 shtet të së drejtës, anëtar të Bashkimit Europian, shqiptarët nuk e na e dhanë për të ngritur duart lart përballë Gjelave të prokurorive e Ballinjve të gjykatave, qoftë kur shqelmojnë Republikën qoftë kur grushtojnë njerëzit që meritojnë drejtësi, vetëm drejtësi dhe as më shumë e as më pak se sa drejtësi.

