Majlinda Kelmendi ka dështuar në Lojërat Olimpike. Shqiptarja e Kosovës është eliminuar në “Tokio 2020” që në raundin e parë nga xhudistja hungareze, Reka Pupp në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Trajneri i saj, Driton Kuka pas eliminimit bëri një shkrim emocionues. “Krenaria e veprimtarisë time …Majlinda të falenderoj për jetë! Do jesh gjithmonë Kampione Olimpike, Botërore e Evropiane! Sot mos u hidhëro, puna e sakrifica, djersa e gjaku që ke derdhur për veten tande, për mua, familjet tona, popullin shqiptar tu ka shpërblyer gjatë karrierës.
Mos u hidhëro se e arta e Disit është e të gjithë neve e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem, kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit Shqiptar! Zoti të ka shpërblyer punën tande, lëndimet ishin sfida që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtnisht. Kokën lartë Majlinda! Krenar me ty deri në frymën time të fundit” shkroi Kuka.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme. “Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriçoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.
Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave.
Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova” shkroi Osmani. Megjithatë Kosova siguroi dje medaljen e parë të artë me Distria Krasniqin./ Abcnews.al