Keir Starmer mban fjalimin e parë si kryeministër: “Vendi i pari, partia e dyta”

schedule14:02 - 5 Korrik, 2024

schedule 14:02 - 5 Korrik, 2024

Pas emërimit zyrtarisht nga Mbreti Karl si kryeministër i vendit, Keir Starmer është larguar nga Buckingham Palace, për t’iu drejtuar kombit në fjalimin e tij të parë kombëtar.

Gjatë fjalimit të tij të parë, Starmer tha se mungesa e besimit në politikën britanike mund të shërohet vetëm me veprime dhe jo me fjalë, dhe se do të mund ta bëjnë me njohurinë e thjeshtë se shërbimi publik është një privilegj dhe se qeveria juaj duhet të trajtojë çdo person në këtë vend, me respekt.

“Qeveria ime do t’ju shërbejë. Politika mund të jetë një forcë për të mirën e vendit.  Ne do ta tregojmë atë. Ne kemi ndryshuar partinë e Punës, e kemi kthyer në shërbim dhe kështu do të qeverisim. Vendi i pari, partia e dyta”.

Ai tha se një nga pikat e forta të këtij kombi ka qenë gjithmonë aftësia për të lundruar në një rrugë drejt ujërave më të qeta.

“E megjithatë kjo varet nga politikanët, veçanërisht nga ata që duan stabilitet, duke ditur se kur duhet të ndryshojmë kurs”, tha ai.

Ai tha se qeveria e tij do të luftojë çdo ditë për t’i bërë njerëzit të besojnë në to dhe se tani e tutje Britania ka një qeveri të udhëhequr nga vendosmëria për t’i shërbyer interesave të popullit.

“Ju na keni dhënë një mandat të qartë dhe ne do ta përdorim atë për të ofruar ndryshime. Për të rikthyer shërbimin dhe respektin ndaj politikës. Katër kombe janë së bashku. Duke u përballur me sfidat e një bote të pasigurt, siç kemi bërë shpesh në të kaluarën tonë.

Ndaj me respekt, dhe përulësi ju ftoj të gjithëve t’i bashkoheni kësaj qeverie, në misionin e ripërtëritjes kombëtare. Puna jonë është urgjente dhe e fillojmë sot. Faleminderit shumë”, përfundoi ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!