KE: Shqipëria duhet të rishikojë paketën anti-shpifje

schedule19:23 - 21 Janar, 2020

schedule 19:23 - 21 Janar, 2020

Qeveria shqiptare duhet të rishikojë të ashtuquajturën “Paketa anti-shpifje”  duke marrë parasysh të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës.

Ky është reagimi i Komisionit Europian ndaj pyetjes së drejtuar nga ABC News mbi shqetësimet që ngre kjo paketë dhe rrëzimin e saj nga presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Ekzekutivi europian konsideron se kthimi mbrapsht i “paketës anti-shpifje” nga presidenti i Republikës në Kuvendin e Shqipërisë, përbën një rast për qeverinë shqiptare, për të pranuar rekomandimet e Këshillit të Europës.

Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së:

“Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”.

Lidhur me pyetjen specifike, nëse Komisioni Europian mbështet shprehimisht vetërregullimin në sektorin e medias, ky institucion është përgjigjur qartë, duke renditur edhe disa nga rekomandimet kryesore të këshillit të Europës:

Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së:

“Absolutisht që ne e mbështesim këtë. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetëregullimit. Por ne e mbështesim qëllimin për ta kufizuar qëllimin e rregullimit vetëm për serviset e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë së mediave në vend. Pra, ne mbështesim të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”.

Liria e shprehjesh dhe e mediave janë parakusht i Bashkimit Europian për vendet e përfshira nê procesin e zgjerimit, që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!