KE konfirmon njoftimin zyrtar të Holandës për rivendosjen e vizave

schedule15:17 - 3 Qershor, 2019

schedule 15:17 - 3 Qershor, 2019

Është konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Evropian kërkesa që i ka drejtuar Holanda për pezullimin e vizave me Shqipërinë. Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian merr njoftim nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian lidhur me nevojën e aktivizimit të këtij mekanizmi.

Komisioni Evropian konfirmon marrjen e njoftimit zyrtar nga Holanda lidhur me kërkesën për të aktivizuar pezullimin e lëvizjes së lirë afatshkurtër për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen, i njohur ndryshe si mekanizmi pezullues i vizave. Kjo është konfirmuar në konferencën e përditshme për shtyp të Komisionit Evropian në përgjigje të pyetjes së ABC News.

“Ne konfirmojmë që kemi marrë njoftimin e Holandës për Shqipërinë lidhur me aktivizimin e mekanizmit të pezullimit së vizave. Komisioni tani do të shqyrtojë me kujdes brendësinë e njoftimit bazuar në të dhënat e paraqitura dhe rrethanat specifike. Hapi i ardhshëm i yni është të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Evropian për këtë njoftim dhe të shqyrtojmë njoftimin. Sigurisht që vendimi për pezullimin e lëvizjes së lirë nuk mund të merret lehtësisht dhe çdo hap drejt aktivizimit të këtij mekanizmi do t’i nënshtrohet një analize dhe shqyrtimi shumë të kujdesshëm, kryesisht lidhur me marrjen në konsideratë të kritereve të përfshira në këtë procedurë”, tha Natasha Bertaud, zëdhënëse e KE-së.

Komisioni Evropian ka një muaj për shqyrtimin e njoftimit dhe pastaj do të njoftojë Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave, nëse do të ketë aksione specifike që duhet të ndërmerren nga autoritetet shqiptare,

“Sipas procedurës dhe rregullave, nëse rrethanat kërkojë marrjen e masave specifike dhe pa paragjykuar nëse do të ketë të tilla, Komisioni duhet tê adoptojë një akt zbatimi brenda një muaji dhe ky akt zbatimi duhet tê aprovohet nga Këshilli i Ministrave të BE-së”, tha Bertaud.

Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian merr njoftim nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian lidhur me nevojën e aktivizimit të mekanizmit të pezullimit të lëvizjes së lirë afatshkurtër. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!