KE: Do të fokusohemi në zgjerim dhe jo në afate kohore

schedule14:12 - 29 Gusht, 2023

schedule 14:12 - 29 Gusht, 2023

Komisioni Evropian (KE) nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces, tha të martën zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat.

Spinat i bëri këto komente në një konferencë për shtyp në Bruksel më 29 gusht, pas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.

Por, derisa e pranoi se zgjerimi është prioritet politikë për Komisionin Evropian, ajo iu përgjigj Michelit duke thënë se “nuk jemi të fokusuar në afate kohore, por t’i ndihmuar kandidatët në përmbushjen e kritereve dhe për t’u bërë gati”.

“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen] në mënyrë specifike ka thënë se sa të përkushtuar jemi ne që ta bëjmë të suksesshëm zgjerimin. Gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është prioritet dhe kandidatët duhet të anëtarësohen kur të jenë gati. Kemi punuar për së afërmi me kandidatët për t’i ndihmuar që ata të kryejnë reformat”, tha Spinat.

Ajo shtoi se ky proces duhet të mbetet proces i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e tyre në përmbushjen e kritereve.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka përsëritur se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët edhe BE-ja të bëhen gati. Ajo ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë, më 5 tetor 2023.

“Kemi instrumente për t’i ndihmuar kandidatët për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet”, theksoi ajo.

Spinat tha se ”nuk është në dijeni se ka pasur kontakte mes Michelit dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se Michel të dilte me propozimin e tij.

Më 28 gusht, Michel bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

Në Forumin e Bledit në Slloveni morën pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së.

Michel e pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.

Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 vende anëtare./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!