KE akuzon Amazon për shkelje të ligjeve të konkurencës

schedule09:16 - 11 Nëntor, 2020

schedule 09:16 - 11 Nëntor, 2020

Komisioni Europian ka akuzuar kompaninë gjigante të Amazon për monopolizim të tregut të  shitjeve  me pakicë në internet duke fituar një avantazh të padrejtë ndaj konkurrentëve. Sipas zyrtarëve europiane Amazon ka përdorur të dhëna të bizneseve të vogla që përdorin tregun e saj për të rritur shitjet e mallrave të veta. Kompania i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se asnjë firmë nuk “kujdesej më shumë” se ajo për bizneset e vogla.

Nëse vërtetohet që kompania ka shkelur ligjin e  konkurrencës, gjoba që do të marrë, pritet të arrijë deri në 19 miliardë dollarë, 10% e xhiros së sajë globale. Komisionerja e Konkurrencës në BE, Margrethe Vestager tha se ishte jetike që platformat më të fuqishme në treg të mos abuzojnë me konkurrentët.

Komisioni Europian ka hetuar Amazon që nga korriku i vitit të kaluar, pas ankesave që ka marrë nga tregtarët. Sipas KE, gjiganti i teknologjisë përdor të dhëna të ndjeshme si shifrat e shitjeve, vizitat në faqe ose informacionin e transportit nga kompani të vogla dhe të mesme që përdorin platformën e tij.

Akuzat vijnë në një kohë që kriza e koronavirusit po nxit gjithnjë e më shumë blerjet online. Në gusht të këtij viti, pronari i Amazon, Jeff Bezos u shpall njeriu më i pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 200 miliardë dollarë pasi çmimi i aksioneve të firmës u rrit për shkak të pandemisë.

Shqetësimi i Bashkimit Europian është që gjigantët e teknologjisë që zotërojnë një platformë sistemi operativ si Apple iOS, Google Android ose tregu i Amazon mund të kenë fuqi kontrolluese  mbi bizneset që varen plotësisht nga ato.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, një raport i mbështetur nga demokratët kohët e fundit nxiti ndryshime që mund të çojnë në shpërbërjen e disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë së vendit, të tilla si Amazon, Facebook dhe Google.

Kjo nuk është hera e parë që kompanitë gjigante përballen me akuza për shkeljen e ligjeve të konkurencës. Google është gjobitur nga Këshilli i Bashkimit Europian tre herë që nga viti 2017 dhe duhet të paguajë 8.2 milardë euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!