Komiteti i Emergjencave Civile bën të ditur se po punohet për të ndihmuar dhe lehtësuar gjendjen e familjeve të përmbytura. Disa numra llogarish bankare janë vënë në dispozicion ku kushdo mund të kontribuojë për të lehtësuar financiarisht banorët që janë dëmtuar më shumë.
Tashmë duket se rreziku ka kaluar, pas disa ditësh lufte me ujin.
Prurjet nga Vjosa kanë rënë nën nivelin kritik dhe lumi është kthyer në shtratin e tij. Si rrjedhojë e investimeve në kanalet kulluese dhe mirëfunksionimit të hidrovoreve, uji është tërhequr me shpejtësi nga zonat e përmbytura.
Strukturat shtetërore, sipas raportimit më të fundit të Komitetit të Kordinimit të Krizave dhe Emergjencave, janë angazhuar pa ndërprerje, me fokus kryesor largimin e ujërave dhe mbetjeve nga banesat.
Rreth 80% të familjeve të evakuuara janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Akset kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve rurale, ku po vijon puna për zhbllokimin e tyre. Gjithsesi, reshjet kanë shkaktuar dëme në ura dhe segmente rrugore, të cilat kërkojnë ndërhyrje afatgjatë.
Furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur. Janë marrë masat që mësimi të mërkurën të rifillojë edhe në 13 shkolla të tjera.
Komiteti bën të ditur se ka filluar shpërndarja e ndihmave dhe inventarizimi i plotë e transparent i dëmeve për kompensimin e tyre. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka hapur llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë në ndihmë të qytetarëve të prekur dhe në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave.
/abcnews.al