KE, 50 milion euro për restaurimin e monumenteve të kulturës që u dëmtuan nga tërmeti

schedule19:49 - 17 Korrik, 2020

schedule 19:49 - 17 Korrik, 2020

Komisioni Europian miraton 50 milionë euro për të mbështetur Programin EU4Culture, të cilat do të shkojnë për restaurimin e monumenteve të kulturës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Mësohet se ky fond është pjesë e një pakete prej 100 milionë eurosh, e miratuar në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare për rehabilitim dhe rindërtim pas tërmetit. Ky financim është pjesë e premtimit të përgjithshëm të Komisionit Evropian prej 115 milionë Eurosh, të dhënë në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, në fillim të këtij viti.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, u shpreh se: “Me miratimin e kësaj pakete financiare prej 100 milionë Eurosh, Bashkimi Evropian po mban angazhimin, për ta ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, ashtu siç po e mbështesim vendin për të përballuar pasojat e krizës COVID-19. Ne e kemi mbajtur premtimin tonë për t’u qëndruar pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe e kemi përtërirë mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj evropiane”.

Programi i sapomiratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilet dhe pajisjet, për t’u mundësuar fëmijëve dhe të rinjve të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësira më të mira. Ai do të bazohet në punimet e nisura tashmë në kuadrin e programit ekzistues të rindërtimit prej 15 milionë eurosh të financuar nga Komisioni Evropian. Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e siteve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumente, muze, biblioteka dhe vende arkeologjike, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe për zhvillimin ekonomik vendor.

I gjithë ndërtimi do të ndjekë parimin “Rindërto më mirë”, duke zbatuar norma të qëndrueshme ndërtimi dhe duke zvogëluar rrezikun e ardhshëm, si dhe duke rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më rezistente ndaj katastrofave. Masa e veçantë do të sjellë gjithashtu përmirësime në efiçencën e energjisë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!