Gjykata kushtetuese seancën e radhës për shqyrtimin për padinë e Partisë Demokratike për vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me konfiskimin e kateve pa leje do e zhvillojë më 26 prill në orën 10:00.
Gazetarja Erneta Shevroja raporton për ABC News se në seancën e sotme në gjykatë ka pasur debate mes dy palëve për shkak të dy deputetëve të cilët kanë firmosur kërkesën por që tashmë kanë hequr dorë nga mandate i tyre.
Në nisje të seancës pala e qeverisë ka thënë se pala paditëse nuk legjitimohet për arsye se kërkesa ishte e firmosur nga dy deputetë që tashmë kanë hequr dorë nga mandate, Grida Duma dhe Alfred Rushaj.
Ndërsa Gazmend Bardhi në fjalën e tij ka thënë se në tetor kur Gjykata është vënë në lëvizje deputetët e kishin aktiv mandatin.
“Nëse firmëtarët kanë autoritet, kjo bëhet kur dorëzohet kërkesa, jo kur mbahet seanca. Nuk kemi nënshkruar kërkesën si persona fizik. Por si përfaqësues te popullit dhe interesit publik. Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim lidhur me kërkesën e qeverise, që e cilëson jo legjitime kërkesën”, ka thënë Bardhi.
Nga ana tjetër Elira Kokona ka thënë se janë vetëm 26 deputetë, dy deputetë Duma dhe Rrushaj dhanë dorëheqjen nga mandati dhe Gjykata vihet në lëvizje nga minimumi 28 deputetë, ndaj kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të pushojë gjykimin, ndërsa Bardhi i është kundërpërgjigjur duke thënë se kanë qenë 28 firmëtarët në momentin që kanë dorëzuar kërkesën dhe kanë vënë në lëvizje Gjykatën kanë qenë deputetë të Kuvendit.
Partisë Demokratike thekson ky është një vendim i padrejtë që ka si qëllim fitimin dhe shkel të drejtat e disa qytetarëve shqiptarë në krahasim me disa të tjerë që qeveria i amniston dhe një pjesë tjetër i çon në burg. Ndërkohë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nëse qytetarët që kanë ndërtuar pa leje nuk e blejnë atë me çmimin e tregut atëherë ajo do të konfiskohet dhe do të përdoret nga shteti për qëllime tjera. /abcnews.al