Katër të vranë për shezllonët në Velipojë, si nisi konflikti dhe çfarë u gjet në vendin e ngjarjes

schedule11:39 - 28 Qershor, 2021

schedule 11:39 - 28 Qershor, 2021

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në Velipojë, ku për shkak të një konflikti për vendosje shezllonësh janë vrarë katër persona dhe plagosur dy të tjerë.

Gazetari Simon Shkreli raporton për ABC se shkak për nisjen e këtij konflikti është marrja e lejes për ndarjen e parcelave të bregdetit për të shfrytëzuar nga ana e familjes Gocaj dhe Ferracaku. Ndër të tjera burimet bëjnë me dije se familja Ferracaku e ka marrë lejen për vendosjen e shezllonëve ndërsa familja Gocaj i ka vendosur dhe pse leja nuk u ishte konfirmuar.

Ndër të tjera gazetari bën me dije se burime pranë policisë së Shkodrës i konfirmojnë se kanë qenë në dijeni të këtij konflikti, po ashtu dhe Policia e Shtetit dhe Agjensia Kombëtare e Bregdetit dhe nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e kësaj masakre ku humbën jetën katër persona mes të cilëve një punonjës i thjeshtë pranë hotelit të familjes Gocaj.

Ndër të tjera në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një armë zjarri dhe një tjetër në hotelin e Gocaj, por nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes dyshohet se gjatë konfliktit janë përdorur 6 armë zjarri.

LEXO EDHE: U plagos në masakrën e Velipojës, dëshmon Hasan Ferracaku: Si nisi sherri, shkuam për t’u sqaruar

Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim janë shpallur djemtë e familjes Ferracaku, vëllezërit, Abedin, Shyqyri dhe Besart Ferracaku.

Këtë të hënë i jepet lamtumira e fundit dhe kamarierit 20 vjeçar që u vra në këtë masakër, i cili kishte vetëm ditën e parë të punës. Gazetari bën me dije se në trupin e 20 vjeçarit janë konstatuar 3 plumba, ku njëri ka qenë fatal dhe e ka goditur në zemër.

Ndërkohë në dëshminë e tij nga spitali i Traumës Hasan Ferracaku, ka theksuar se ka qenë familja Gocaj që ka qëlluar e para, pasi ai dhe vëllezërit e tij kishin shkuar për tu sqaruar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mesnatës së të shtunës, ku humbën jetën, biznesmeni Kujtim Verracaku (Ferracaku) 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërve Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimit fatkeq Musaen Zenelit 20 vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend. Nga përplasja me armë u plagosën po ashtu edhe Hasan Ferracaku, vëllai i biznesmenit që u vra dhe nipi i tij Elmedin Tyli. e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!