Kategoria e Parë “zjarr”, sytë në Shijak dhe Lushnjë

schedule08:39 - 2 Nëntor, 2019

schedule 08:39 - 2 Nëntor, 2019

Interesante gara në grupin A të Kategorisë së Parë. Kur janë luajtur gjashtë ndeshjet e para, janë shkëputur katër ekipet që duket se do të luftojnë për dy vendet e para. Sikurse dihet, vetëm i pari ngjitet në Superiore, kurse vendi i dytë ka një shans të tentojë në “play-off”.

Korabi kryeson dhe sot ekipi i drejtuar nga Dorian Bubeqi do të ketë një transfertë të vështirë, me Erzenin në “Tofik Jashari”. Skuadra shijakase normalisht do kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe t’i parakalojë dibranët në renditje.

Besëlidhja e vendit të dytë luan në Burrel, ndaj matjanëve që kërkojnë të marrin sa më shumë pikë në shtëpi dhe të mos rrezikojnë rënien. Lezhjanët e Plorit nga ana tjetër kanë objektiva madhorë, ashtu sikurse Kastrioti që të dielën përballet me Dinamon e “1001 halleve” në transfertë.

Dita e sotme rezervon edhe dy takime të tjera, teksa në Pukë Tërbuni do tentojë të mposhtë Egnatian, që tanimë drejtohet nga Artan Bano. Sfida tjetër është ajo mes Shkumbinit dhe Veleçikut, në Peqin. Koplikasit kanë fituar dy ndeshjet e fundit dhe do mundohen të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë.

Kategoria e Parë – Java 7 (GRUPI A)
E shtunë, më 2 nëntor 2019
Ora 14:00 | Tërbuni-Egnatia
Ora 14:00 | Shkumbini-Veleçiku
Ora 14:00 | Burreli-Besëlidhja
Ora 14:00 | Erzeni-Korabi

E diel, më 3 nëntor 2019
Ora 13:00 | Dinamo-Kastrioti

Lushnja e ka nisur mirë kampionatin, teksa ka fituar pesë nga gjashtë përballjet e zhvilluara deri më tani. Më së shumti rëndësi ka diferenca prej pesë pikësh me rivalët. Verdhejeshilët do mundohen ta thellojnë distancën dhe për këtë duhet të mundin Pogradecin sot. Kjo sfidë është veçuar nga të tjerat, teksa do të luhet prej orës 13:00 dhe do të transmetohet në TV.

Në katër përballjet e tjera spikat Apolonia-Besa. Dy ekipet me traditë përballen mes tyre pas humbjeve të pësuara në fundjavën që kaloi. Kjo javë sjell edhe një sfidë derbi mes Turbinës dhe Elbasanit. Verdheblutë janë të fundit dhe në Cërrik normalisht kërkojnë vetëm fitoren.

Shënkolli, pasi surprizoi Besën, do tentojë të marrë pikët e plota në shtëpi me Devollin e Stavri Nicës. Edhe Iliria e Fushë-Krujës kërkon vazhdimësinë dhe me Orikun në “Redi Maloku” do të ketë një sfidë të vështirë me Orikun.

Kategoria e Parë – Java 7 (GRUPI B)
E shtunë, më 2 nëntor 2019

Ora 13:00 | Lushnja-Pogradeci
Ora 14:00 | Turbina-Elbasani
Ora 14:00 | Iliria-Oriku
Ora 14:00 | Shënkolli-Devolli
Ora 14:00 | Apolonia-Besa

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!