E Para rikthehet sot dhe ka ndeshje të rëndësishme në të dyja grupet. Në grupin A luhen katër prej ndeshjeve, me Besëlidhja-Kastrioti të ndarë për t’u zhvilluar të dielën. Në Peqin sot Shkumbini do të mundohet të rikthehet te rezultatet pozitive dhe për këtë duhet të mundë Dinamon e vendit të fundit, që të shtunën e kaluar mori fitoren e parë kundër Tërbunit.
Pukjanët luajnë në shtëpi dhe kanë përballë një ekip të fortë si Erzeni, që do tentojë të fusë në presion Kastriotin dhe Besëlidhjen. Në Shkodër Veleçiku do të ndeshet me Korabin, që jo vetëm ka humbur vendin e parë, por ka zbritur në vendin e katërt. Burreli, pasi mundi Shkumbinin, do mundohet të fitojë sërish, këtë herë me Egnatian, po në shtëpi.
Interesante gara në grupin B të Kategorisë së Parë. Një garë treshe, me Pogradecin që kryeson për momentin. Liqenorët kanë në program një ndeshje të fortë në transfertë me Ilirinë, që javët e fundit ka marrë rezultate pozitive. Në Fushë-Krujë provoi të binte edhe Lushnja, ndaj ky do të jetë një test force për skuadrën e Abazajt.
Pogradeci do mundohet të fitojë, në mënyrë që të shkëputet në krye. Lushnja dhe Apolonia përballen mes tyre në derbin e Myzeqesë dhe kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme e këtij grupi sot.
Në Elbasan, verdheblutë presin Besën pas turpërimit në Fier, ndërsa në Cërrik Turbina do të mundohet të rikthehet te rezultati pozitiv. Skuadra e drejtuar nga Gentian Stojku pret Shënkollin. Takimi tjetër i javës së 11-të është ai mes Orikut dhe Devollit. /abcnews.al