Apolonia-Pogradeci është ndeshja e ditës në Kategorinë e Parë. Dy skuadra e kreut në grupin B do të përballen mes tyre prej orës 13:00, një ndeshje që edhe do të transmetohet në RTSH. Fierakët kanë mundësinë të dalin në krye, por për të mposhtur liqenorët do të duhet të djersijnë fort.
Lushnja e vendit të tretë do dëshironte një barazim mes dy skuadra të kreut dhe të përfitonte. Verdhejeshilët kanë një takim të lehtë në program, teksa presin Elbasanin e vendit të fundit. Turbina-Oriku, Iliria-Devolli dhe Shënkolli -Besa janë tre takimet e tjera të këtij grupi.
Në grupin A, Besëlidhja është pushim për shkak se Shkumbini është përjashtuar dhe Kastrioti do tentojë ta çojë në shtatë pikë diferencën me lezhjanët. Kjo do të ndodhë nëse skuadra e drejtuar nga Ramadan Ndreu do të triumfojë në Burrel, kundër një skuadre që falë disa rezultateve pozitive radhazi është ngjitur në vendin e tretë.
Interesant takimi mes Tërbunit dhe Veleçikut sot, sikurse edhe ai që përball Erzenin dhe Eganatian. Skuadra fqinje, që kërkojnë të marrin maksimumin e pikëve dhe të realizojnë objektivat e tyre, që nuk janë madhore në fakt. /abcnews.al