Kate Middleton nuk ka gjasa të bëjë ndonjë paraqitje publike deri në fund të vitit, duke kaluar kohë e rrethuar nga familja dhe miqtë ndërsa vazhdon trajtimin e saj me kimioterapi pasi u diagnostikua me kancer në fillim të këtij viti, thanë burime pranë familjes mbretërore për Daily Beast.
Kate dhe familja e saj pritet të kalojnë javën e ardhshme në një shtëpi fshati në pasurinë Sandringham. Daily Beast raporton se Princi William do t’i kushtojë edhe më shumë kohë familjes së tij gjatë gjashtë javëve të ardhshme, pasi familja mbretërore nuk do të shfaqet në publik gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Mbretërinë e Bashkuar më 4 korrik.
Kanë kaluar pesë muaj që kur Princesha e Uellsit u pa për herë të fundit në publik dhe burimet besojnë se pallati mbretëror së shpejti do të ndajë sërish lajmet për shëndetin e saj.
“Nuk do të përjashtoja një video-mesazh tjetër që informon vendin për shëndetin e saj. Është vërtetuar se është një mënyrë shumë efektive për të mbajtur larg teoricienët e konspiracionit”, tha një burim. Princesha u tërhoq nga detyrat publike pasi njoftoi më 22 mars se u diagnostikua me kancer dhe kishte filluar trajtimin e kimioterapisë.
Javën e kaluar, Princi William ndau lajmin për shëndetin e gruas së tij Kate, duke thënë se ajo “po shkon mirë”./abcnews.al