Rikthimi i Kastriotit në Superligë doli i suksesshëm. Skuadra krutane arriti një fitore të rëndësishme jashtë fushe, madje në stadiumin e ekipit që ishte surpriza e sezonit të kaluar, Luftëtarit. Në Gjirokastër, gjithçka u vendos pas një penalltie të fituar nga Bardhi në pjesën e dytë, dhe të kthyer në gol nga Mziu.
Pas një pjese të parë më të mirë për vendasit, formacioni nga Kruja luajti më mirë në 45 minutat e dyta, duke e merituar fitoren. Kastrioti krijoi disa momente të rrezikshme në portën e Luftëtarit dhe suksesi i tij mund të kishte qenë më i thellë.
Në përfundim, tifozët gjirokastritë që ishin në stadium duartrokitën ekipin mik të drejtuar nga trajneri shkodran, Elvis Plori, për ndeshjen që zhvilloi. /abcnews.al