Lirim Kastrati u ble që në janar nga Dinamo Zagreb, për 2 milion euro, por u la në huazim te Lokomotiva. Tani sulmuesi anësor i Kosovës do të bashkohet me kampionët e Kroacisë dhe do të provojë një eksperiencë të re, me objektiva më të mëdha.
Kastrati sezonin e fundit shënoi 11 gola dhe asistoi shtatë herë, duke u përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë të vitit. Para se të largohet nga Lokomotiva Zagreb, ai ka edhe disa fjalë për të thënë për klubin që i dha mundësinë të rritej si lojtar.
“Asnjëherë nuk është e lehtë të lësh familjen, të shkosh larg shtëpisë. Këto vite te Lokomotiva ishin në familje, në shtëpinë time të dytë. Faleminderit për çdokënd që më ka ndihmuar në këtë udhëtim timin. Kurrë nuk do t’ju harroj dhe gjithmonë do të kthehem i lumtur në Kajzerica.
Tani është koha për sfida të reja, beteja dhe fitore të reja. Iki krenar për gjithçka kemi realizuar së bashku dhe ju uroj fat sezonin e ri. Gjithmonë atje për ju! I juaji, Lirim”, shkruan Lirim Kastrati në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcnews.al