I ftuar në Abc News, për të folur më tepër për Listat e hapura dhe koalicionet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vendin tonë, ishte këtë pasdite sekretari për çështje Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso.
Veç çështjes së listave dhe koalicioneve zgjedhore, Kaso tregoi po ashtu nëse PD do të jetë prezente në Këshillin Politik, nëse ky i fundit do të ketë një “mandat” të dytë.
Lexo edhe: “Listat dhe koalicionet”, Ivi Kaso: Garancia për procesin e numërimit preket në mënyrë të njëanshme
Kaso theksoi se PD do të ulet në tryezën e Këshillit Politik, vetëm nëse pala tjetër do të ketë qëllim të realizojë ndryshimet me konsensus dhe që të japë zgjidhje.
Po ashtu, ai sqaroi se ende nuk ka një informacion zyrtar nëse do të ketë më Këshill Politik apo jo.
“Në radhë të parë, duhet të bëj me dije që nuk kemi informacion zyrtar nëse do të ketë Këshill Politik më apo jo. Kujtojmë se është një instrument që është krijuar me marrëveshjen e 14 janarët…palët zotoheshin që të gjitha çështjet e rëndësishme me zgjedhjet do t’i adresonin në këtë Këshill..”
Kaso po ashtu deklaroi se nëse PS vjen në Këshill me një agjendë të paracaktuar, dhe bën ftesë që PD të jetë e pranishme vetëm si fasadë, “do të merren vendimet përkatëse.”
Sekretari për çështje Zgjedhore në PD, u shpreh më tej:
” Kemi një palë që shkeli dakordësinë e 14 janarit duke bërë ndryshime të njëanshme. Në qoftë se kjo palë do t’i paraqisi këto ndryshime në Këshillin Politik…duhet të na paraqesë vizionin e tyre, si do t’i detajojë këto ndryshime që i bëri pa na pyetur ne…. Nëse kjo do të ndodhë, sigurisht ne si opozitë kemi qenë si palë që nuk kemi refuzuar asnjë herë një tryezë të vërtetë që ka kërkuar konsensus dhe zgjidhje. Por ne nuk pranojmë që të bëhemi vetëm fasadë e një tryeze që keqpërdoret dhe rezultati del siç do pala tjetër.” s.b/abcnews.al/