“Kasapi i Bosnjës” u dënua përjetë, Biden: Gjykim historik

schedule18:07 - 8 Qershor, 2021

schedule 18:07 - 8 Qershor, 2021

Presidenti i SHBA Joe Biden përshëndeti të martën konfirmimin nga gjykata e Apelit të dënimit të përjetshëm të Ratko Mlladiç për gjenocid në masakrën e Srebrenicës në 1995.

“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi” tha Biden në një deklaratë. “Ai gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar mizoritë e ardhshme që të ndodhin kudo në botë.”

“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mlladiç. Ne kurrë nuk mund ta fshijmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të sigurojë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar” tha ai.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të martën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

I cilësuar si “kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!