KAS rrëzon 3 kërkesa të PD-LSI dhe Vetëvendosjes për zgjedhjet

schedule16:00 - 12 Maj, 2021

schedule 16:00 - 12 Maj, 2021

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në mbledhjen e sotme ka rrëzuar tre kërkesa të PD, LSI dhe kandidatit të Vetëvendosjes Kreshnik Merxhani për zgjedhjet e 25 Prillit. Pasi dëgjoi palët trupa vendosi të rrëzonte kërkesën e LSI për të marrë prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Gjithashtu KAS vendosi me shumicë votash rrëzimin e kërkesave të PD për të marrë prova shtesë nga institucionet prokurori, polici, etj. Të njëjtin fat pati edhe kërkesa e bërë nga kandidati i Vetëvendosjes Kreshnik Merxhani për prova shtesë, referuar qarkut ku garoi, Gjirokastër.

Gazetarja e ABC-së Esiona Konomi raporton se KAS nuk mori vendim nëse do të njihen apo jo zgjedhjet në Gjirokastër, pasi dy anëtarë të KAS (Braho dhe Cefa) kërkojnë nga administrata e KQZ-së informacion për dy komisionerë të PS-së që dyshohet të kenë ardhur nga Greqia dhe nuk janë karantinuar.

Si dhe po këta dy anëtarë presin nga KQZ informacion për Gjirokastrën mbi të dhënat e identifikimit elektronik nëse nga kryqëzimi rezultojnë manipulime. Qarku tjetër që do të shqyrtohet është Berati, dhe mbledhja e radhës, të premten në 09:30.

Partia Demokratike kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve parlamentare në 9 qarqe duke akuzuar për parregullsi dhe manipulime. Në 25 Prill Edi Rama fitoi mandatin e tretë radhazi në qeveri me 74 mandate./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!