“Karvani i Krishtlindjeve”, mijëra emigrantë nisen drejt SHBA-së: T’i japim fund varfërisë

schedule12:59 - 25 Dhjetor, 2023

schedule 12:59 - 25 Dhjetor, 2023

Rreth 7,000 njerëz, kryesisht nga Amerika Jugore dhe Qendrore, duke përfshirë mijëra fëmijë, vlerësohet se i janë bashkuar karvanit të emigrantëve të “Krishtlindjeve” për në SHBA.

Ata u larguan vetëm disa ditë përpara se Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken të diskutonte me presidentin meksikan mënyrat për të frenuar emigracionin.

Së fundmi janë mbyllur disa pika kufitare për shkak të valës së emigrantëve. Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha se presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, janë po aq të shqetësuar për rritjen “dramatike” të emigrantëve që kalojnë kufirin e tyre të përbashkët.

Numri i njerëzve në kufirin jugor të SHBA  kaloi dy milionë si në 2022 ashtu edhe në 2023. Vetëm në shtator 2023, Patrulla Kufitare e SHBA-së ndaloi më shumë se 200,000 emigrantë që kalonin kufirin SHBA-Meksikë ilegalisht, sipas Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Karvani i fundit i emigrantëve u largua nga qyteti jugor meksikan Tapachula, pranë kufirit jugor të vendit me Guatemalën, në prag të Krishtlindjeve. Një aktivist i të drejtave të emigrantëve tha se 3,000 fëmijë të moshës 14 vjeç e poshtë janë në mesin e atyre që po shkojnë në këmbë për në SHBA.

Mediat lokale raportuan se shumica e emigrantëve ishin nga Kuba, Haiti dhe Hondurasi, por disa vinin nga Bangladeshi dhe India. Shumë thanë se vendosën t’i bashkoheshin karvanit pasi prisnin muaj të tërë për lejet e tranzitit.

Emigrantët përshkuan rreth 15 kilometra në mëngjes pasi u nisën në orët e para të 24 dhjetorit. Një emigrant Honduras tha se ai u largua nga vendi i tij për t’i shpëtuar një bande kriminale që e kishte kërcënuar ta vriste.

Udhëheqësi meksikan do të takohet me sekretarin e shtetit të SHBA të mërkurën. Takimi i tyre vjen në një kohë kur rritja e emigracionit është një çështje e nxehtë politike në SHBA, me presion në rritje ndaj Presidentit Biden për të frenuar fluksin në kufirin jugor të SHBA.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!