Shumë futbollistë kur vijnë në fundin e karrierës, vendosin që ta vazhdojnë po në atë fushë. Dikush bëhet trajner, dikush drejtor klubi apo dhe vëzhgues talentesh. Ka dhe nga ata që zgjedhin një fushë komplet tjetër nga ajo e futbollit. Këtë gjë ka bërë dhe ish-sulmuesi i Francës, Djibril Cisse.
38-vjeçari ka vendosur të merret me muzikë, konkretisht të punojë si DJ. Francezi është shumë i lumtur për zgjedhjen që ka bërë dhe e pranon se muzika e ka zëvendësuar plotësisht futbollin në jetën e tij.
“Besoj se isha gati të bëja ndryshimin e madh, nga stadiumet në lokalet e natës. Më mori pak kohë të përshtatesha, por tashmë jam shumë i lumtur për zgjedhjen time”, deklaron Cisse, i cili emrin e artit e ka Rising DJ.
“Muzika është pjesë e çdo njeriu në jetë. Ajo të kthen pas në kohë, në kujtime të bukura dhe kjo është ajo që më pëlqen. Tashmë një aventurë e re më pret, do të udhëtojë në vende të ndryshme të botës për të luajtur muzikë në disa klubet më të mira. Jam i emocionuar”, janë fjalët e ish-sulmuesit të Liverpool, klub me të cilin sulmuesi fitoi edhe një FA Cup. /abcnews.al