Një ngjarje e paprecedentë u zbulua ditën e djeshme nga policia e Tiranës, ku një 52-vjeçar mbante prej 6 vitesh të ngujuar në shtëpi gruan dhe dy djemtë e tij të mitur.
Ishin banorët dhe fqinjët ata që raportuan në polici për situatën në të cilën ndodhej familja Laçi, raporton abcnews.al.
Komshinjtë, të cilët ishin në dijeni të dhunës që Xherxh (Gjergj) Laçi ushtronte ndaj gruas dhe djemve të tij, u shqetësuan pasi prej disa ditësh nuk i kishin parë të dilnin as në dritare.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se efektivët e komisariatit nr.4, pasi morën informacione nga fqinjët shkuan në banesë dhe kontaktuan me kryefamiljarin Xherxh Laçi.
Mësohet se ata fillimisht kanë shkuar për verifikim dhe i kanë thënë 52-vjeçarit që “kemi ardhur të interesohemi për ju dhe gjendjen në të cilën jetoni.”
Laçi ka pohuar se jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe ishin fqinjët ata që i ndihmonin dhe motra e tij e cila ndodhej jashtë shtetit.
Për shkak të mos pagimit të faturave energjia në shtëpi i ishte ndërprerë.
Abc mëson se prej 6 vitesh, qëkur kishin mbaruar shkollën fillore dy djemtë e tij mbaheshin të ngujuar në shtëpi. Por 6 muajt e fundit, babai tyre kishte vendosur një perde në ballkon, në mënyrë që familjarët mos shikonin as dritën e diellit.
Në dëshminë e zbardhur nga Abc, Laçi deklaroi se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.
“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.
Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht.
Tashmë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi.
Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë./Abcnews.al/