Ministria e Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës njofton se kanë evidentuar katër kompani të importit të karburanteve, të cilat fusin në treg naftë, benzinë dhe gaz me cilësi të keqe.
Në një konferencë për mediat, ministrja Rozeta Hajdari dhe drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu thanë se kjo është bazuar në fakte të cilat janë mbledhur.
“Ne si Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kemi revokuar dhe pezulluar lejet për katër subjekte për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final. Vlen të përmendet se njërit subjekt i kemi pezulluar lejen për importin e lëndëve të rënda, ndaj prej të njëjtit kemi filluar zhvillimin e procedurave për mashtrim për cilësinë e karburantit që subjekti ia ka shitur institucioneve publike”, tha Hajdari.
Ajo ka shtuar se me Inspektoratin e Tregut janë gjetur plotë raste të jokonformitetit për të cilat është njoftuar edhe prokuroria.
“Me Inspektoratin e Tregut kemi gjetur plotë raste të jokonformitetit. Për këto raste do të njoftojmë edhe prokurorinë. Në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës, Inspektorati ka gjetur në numër i madh i shitësve kanë tejkaluar marzhën tregtare të përcaktuar nga ana e Qeverisë, andaj është lëshuar urdhri për nisjen e procedurës kundërvajtëse në gjykatë për të gjobitur shkelësit e Ligjit”, ka përfunduar ajo.
Drejtori Llugaliu deklaroi se nga kontrolli i kryer ndaj katër subjekteve, janë shmangur të tatimeve.
“Për këtë proces të homogjenizimit, këto kompani kanë përfituar nga lirimi në taksë të akcizës. Nga kjo është mundësuar të ketë shmangie të pakontrollueshme të të hyrave”, tha drejtori.
Ndërkohë që ndodh kjo në Kosovë, përdoruesit e makinave në Shqipëri vijojnë të ankohen për cilësinë e dobët të karburanteve, por deri më tani nuk ka patur asnjë lëvizje nga institucionet përgjegjëse. /abcnews.al