Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për vendosjen e karantinës për dy javë për shtetasit shqiptarë të cilët vijnë nga Greqia dhe Maqedonia.
Për LSI-në, ky vendim është arbitrar dhe në shkelje të hapur me kushtetutën.
“Këtë akt administrativ ne e konsiderojmë të marrë pa prova, me qëndrime të njëanshme dhe të paligjshme nga pala e paditur, në kundërshtim, në lajthitje, si dhe në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik.”
LSI kërkon marrjen e Masës së Sigurimit të Padisë duke pezulluar zbatimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 19.04.2021, me objekt: “Vendosjen në karantinë dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia”, deri në fund të gjykimit dhe derisa vendimi gjyqësor të marrë formë të prerë.
( KERKESE PER MARRJEN E MASES SE SIGURISE KOMITETI I EKSPERTEVE)
Ku na ndajnë 5 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që për dy javët e ardhshme, personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia duhet të bëjnë karantinë,
Megjithëse Komiteti Teknik thotë se kjo masë sipas tyre është marrë për të kufizuar përhapjen e covid19, konkretisht emigrantët që kthehen në atdhe nga Greqia apo nga Maqedonia, duke nisur nga sot nuk do të mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj. Do ta rivlerësojmë, në varësi të dinamikës së situatës, do ta vlerësojmë përsëri pas dy javës.”, tha Rakacolli. E.L /abcnews.al/