Kapllanaj: Ishte thjesht një fitore, emri i Tiranës të motivon!

schedule14:38 - 24 Tetor, 2019

schedule 14:38 - 24 Tetor, 2019

Bylisi mposhti një ditë më parë Tiranën dhe normalisht të gjithë në qytetin e Ballshit janë të gëzuar për ecurinë e skuadrës së tyre. Presidenti Besnik Kapllanaj, pas ndeshjes ka folur për fitoren dhe thekson se ishin vetëm tre pikë, asgjë më shumë.

“Fitoret janë të gjitha njëlloj, tre pikë vlejnë. E kishim vlerësuar mirë këtë ndeshje. Dihet kush është Tirana, vetë si emër ata të motivojnë. Janë 24 herë kampionë të vendit. Stafi dhe lojtarët kishin punuar, bënë një ndeshje të mirë dhe morëm tre pikët. Është vetëm një ndeshje, tani të mendojmë për të radhës”, u shpreh Kapllanj për mediat.

Bylisi renditet i pari për momentin, në pritje të ndeshjes Partizani-Skënderbeu. Për kreun e klubit ballshiot nuk ka shumë rëndësi pozicionimi në klasifikim momentalisht. Ai pret që ekipi i tij të qëndrojë me këmbë në tokë në vazhdim.

“Për ne nuk ka shumë rëndësi në çfarë vendi jemi tani, në vend të parë apo të dytë. Kampionati sapo ka nisur, janë edhe tre faza të tjera. Duhet shumë punë, jemi mirë si ekip. E nisëm fazën në kohën e duhur dhe kjo po jep frytet e veta. Të vazhdojmë kështu, të jemi me këmbë në tokë në vazhdim”, përfundoi Kapllanaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!