“Kapitolët” e Ballkanit, nacionalistët serbë: Nuk ka rëndësi nëse Amerika bie tani…

schedule21:18 - 13 Janar, 2021

schedule 21:18 - 13 Janar, 2021

Emisioni Ballkan

Trazirat në Kapitol Hill, në Uashington, të papara ndonjëherë më parë në këtë simbol të demokracisë amerikane, gjetën mbështetje në figura të së djathtës dhe nacionalistët në Serbi. Nikola Sanduloviç, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, i cili postoi në Twitter një fotografi të një mbështetësi të presidentit Trump, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, brenda Kongresit, shkroi: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”.

Sanduloviç postoi edhe një dokument të ish-avokates së fushatës së Trumpit, Sindey Powell, duke pretenduar se përmbante dëshmi për ndërhyrjen e SHBA-së në zgjedhjet serbe përmes kompanisë Dominion që ofron shërbime për zgjedhje. Një llogari e nacionalistëve serbë në Twitter, e quajtur “Slobodni Boem” ishte në të njëjtën linjë. “Nuk ka rëndësi nëse Amerika bie tani apo pas 100 a 500 vjetësh.

Serbia do të jetë këtu për ta parë këtë gjë”, shkruhej në të. “Srbski Info Shtab” ka mbështetur dhunën në Uashington duke thënë se “kjo do të thotë se ka rezistencë”, “një lëvizje të rezistencës”. Ndërkohë, nacionalisti serb, Dejan Beriç, që ka luftuar në krah të mercenarëve rusë në lindje të Ukrainës, ka postuar një video në youtube, duke i bërë thirrje zyrtarëve të rendit në SHBA, që të mos përdorin dhunë ndaj “protestuesve paqësorë” ose të mos “shkelin të drejtën e tyre për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë”.

Kreu i Lëvizjes për ndryshim në Mal të Zi, Nebojsha Medojeviç, një politikan pro-serb dhe pro-rus, e përshkruante  Trumpin si “presidentin e parë amerikan, që prej Kennedyt, që ka kundërshtuar anarkinë dhe nga personat që sundojnë nga prapaskenat”. Medojeviç shkruante gjithashtu se ata, sipas tij, “duhej që të organizonin një vjedhje të madhe zgjedhore dhe të shkatërronin demokracinë në mënyrë që ta ndalonin atë”. Skenat e Uashingtonit nuk përbëjnë risi për vendet e Ballkanit, të cilat I kanë përjetuar ato më shumë se një herë./ Abcnews.al