Kapidani zbulon si e u njoh për herë të parë me muzikën ‘Jazz’: 13-vjeç gjeta ca revista të ndaluara të babait

schedule13:11 - 1 Qershor, 2023

schedule 13:11 - 1 Qershor, 2023

Muzikanti Markelian Kapidani ka bërë një rrëfim për karrierën dhe jetën e tij në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News. Ai është kthyer pas në kohën kur ishte fëmijë, dhe ka kujtuar momentin e parë kur u njoh me muzikën jazz.

Markeliani zbuloi se babai i tij, artisti i njohur, Gjon Kapidani, kishte disa partitura të përkthyera në polonisht që ia kishin dhënë dhe ato ishin gjithçka çfarë ai kërkonte, ndryshe nga kompozitorët klasikë që studionte në shkollë.

“Më kujtohet në moshën 13-14-vjeçare kisha filluar të luaja një muzikë pak të evoluar në atë kohë nga kompozitorë impresionistë. Kisha një gjuhë harmonike dhe ritmike ndryshe nga kompozitorët klasikë që ne i studionim në shkollë si Moxarti apo Bethoven. Një ditë duke rrëmuar nëpër libra të vjetra të tim ati, gjeta një grumbull partiturash të shkruara ‘Jazz’ sipër dhe me një firmë Lek Dizdari, një shok i babës, i cili ia kishte dhuruar këto revista të përkthyera në polonisht dhe në fund të çdo reviste ishin disa pjesë pentagrami, edhe disa sigla të muzikës jazz, të cilat në atë moshë unë nuk i dija. Shkova te baba dhe i thash: ‘Ca janë këto?’. ‘Shshsh’, më tha, janë muzikë e ndaluar, hajde t’i kallxojë. Aty zbulova këtë lloj muzike, që unë e kërkoja, por nuk e dija se çfarë ishte. E doja përveç atyre që mësoja në shkollë”, u shpreh Kapidani./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!