Kapen dy persona me mina, një tjetër në kërkim

schedule09:28 - 2 Prill, 2019

schedule 09:28 - 2 Prill, 2019

Një djalë dhe një vajzë nga Vlora, që u kapën në Lezhë me 3 mina të telekomanduara, po mbaheshin në vëzhgim prej muajsh për këtë aktivitet. Në hetim u përfshi edhe Policia e Tiranës, duke përgatitur edhe një blerje të stimuluar, të cilën dy të rinjtë e kishin refuzuar.

Dy të rinj nga Vlora u prangosën të martën në qytetin e Lezhës me tre mina me telekomandë si edhe me lëndë narkotike. Në çantën e shpinës së Amelda Elezit, 21 vjeçe, uniformat blu gjetën të montuar lëndën shpërthyese e gatshme për t’u shitur në tregun e zi. Ndërsa Armand Lukani, 23 vjeç, kishte  me vete 2.3 kilogramë kanabis sativa.

Hetimi për të rinjtë kishin nisur disa muaj më parë, teksa u shpall në kërkim edhe miku i tyre 27 vjeç, i cili dyshohet se kishte rolin e transportuesit. Përveç dy policive në Lezhë dhe Vlorë, në hetim u përfshinë edhe ekspertët e krimeve kundër jetës në Policinë e Tiranës.

Dyshimet kryesore ishin se lënda shpërthyese me telekomandë do të tregtohej në kryeqytet. Për të rënë në gjurmët e të rinjve, policia përgatiti edhe një blerje të stimuluar, por që nuk u realizua në Tiranë. Armand Lukani dhe personi tjetër i shpallur në kërkim nuk pranuan që shkëmbimi i parave dhe i minave me telekomandë të bëhej në të njëjtën ditë, pasi më parë blerësit duhet të paguanin kaparin e përcaktuar më herët.

Operacioni për sekuestrimin e tre bombave me telekomandë u shty me të paktën një muaj, duke përfunduar në prangat e Policisë së Lezhës një vajzë dhe një djalë. Uniformat blu nuk ka dhënë detaje nëse këta persona po përgatisnin ndonjë akt kriminal në Lezhë apo ishin vetëm korrierë, ndërsa vlera në treg shkon afërsisht nga 700 deri 2000 euro, kjo në varësi të fuqisë së lëndës shpërthyese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!