Kaosi në Turqi/ Erdogan apel SHBA: Mjaft me njëanshmërinë

schedule12:06 - 11 Gusht, 2018

schedule 12:06 - 11 Gusht, 2018

Në një letër të hapur për Nju Jork Tajms, presidenti turk Erdogan paralajmëroi se veprimet e njëanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Turqisë vetëm sa do të minojnë interesat dhe sigurinë e amerikanëve.

“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk heqin dorë nga njëanshmëria dhe mungesa e respektit do të jemi të detyruar të kërkojmë aleatë dhe miq të rinj”. Kështu shkruan ndër të tjera presidenti turk Erdogan në një letër të hapur për Nju Jork Tajms. Më tej ai shton se veprimet e njëanshme të SHBA ndaj Turqisë vetëm sa rrezikojnë interesat dhe sigurinë e amerikanëve.

Ai paralajmëron se para se të jetë shumë vonë Uashingtoni duhet të heqë dorë nga ideja se marrëdhëniet mes dy vendeve janë asimetrike, dhe të pranojnë faktin se Turqia ka alternative. Kreu i shtetit turk ka përmendur dhe gabimet që administrata amerikane ka bërë ndaj Ankarasë vitet e fundit duke e cilësuar si një partneritet që ka qenë gjithnjë në provë. Ndër të tjera kërkesa që nuk është pranuar asnjëherë, për ekstradimin e imamit në ekzil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Fetullah Gulen, i cili konsiderohet si përgjegjës i përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi në korrik të 2016-ës, dhe mbështetjes ndaj militantëve kurdo-sirianë, që Turqia i konsideron si krahu i armatosur i Partisë së Punës në Kurdistan.

Erdogan shton se fjalët e tij kanë shkuar kot, duke thënë se në javët e fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë hapa për të përshkallëzuar tensionet, si në rastin e arrestimit të pastorit amerikan Endrju Brunson, ku presidenti amerikan Tramp reagoi duke i vënë sanksione ministrave turq. Një vendim që për Presidentin turk është i papranueshëm dhe i paarsyeshëm.

Erdogan paralajmëroi se veprimet e njëanshme kundër Turqisë nga ana e SHBA, një vend aleat prej dekadash vetëm sa do të minojnë interesat dhe sigurinë amerikane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!