Kryeministri Ranil Wickremesinghe në Sri Lanka është caktuar President në detyrë. Lajmin e bëri të ditur kryeparlamentari i vendit. Zyrtari është shprehur se presidenti Gotabaya Rajapaksa e informoi atë për emërimin sipas nenit 37.1 të kushtetutës së Sri Lankës.
Megjithatë, nuk ka asnjë fjalë të drejtpërdrejtë nga vetë Rajapaksa. Të gjitha njoftimet e ditëve të fundit kanë ardhur nga kryeparlamentari dhe nga kryeministria.
Kujtojmë se parlamenti i Sri Lankës do të zgjedhë presidentin e ri më 20 korrik, pasi protestuesit në fundjavë hynë në rezidencën e presidentit dhe kryeministrit të cilët kanë ofruar dorëheqje pas krizës ekonomike.
Vëllezërit dhe nipi i Gotabaya Rajapaksa-s kanë dhënë dorëheqje nga postet e ministrave kur Sri Lanka nisi të kishte mungesë të karburanteve, ushqimit dhe gjërave të tjera elementare, në krizën që është më e rënda që nga pavarësia nga Britania më 1948.
Për muaj të tërë, Sri Lanka po përballet me mungesë të ushqimit, karburanteve e ilaçeve dhe pakënaqësitë kulmuan të shtunën, kur protestuesit hynë në rezidencën presidenciale. /abcnews.al/

