Kaos në Shtëpinë e Bardhë/ Këshilltaret e Trump mendojnë largimin

schedule18:13 - 11 Qershor, 2018

schedule 18:13 - 11 Qershor, 2018

Në Shtëpinë e Bardhë mbretëron kaosi. Prestigjozia amerikane “Neë York Times” shkruan se këshilltarët e presidentit Trump duan të lënë detyrën dhe paralajmëron një eksod pas zgjedhjeve të mesmandatit.

Ndërkohë që Donald Trump ka udhëtuar drejt Singaporit për takimin historik me liderin koreano-verior Kim Jong Un, në Shtëpinë e Bardhë mbretëron kaosi. Sipas “Neë York Times”, janë të shumtë funksionarët që janë gati të braktisin detyrën dhe më të shumtë do të jenë pas zgjedhjeve te mesmandatit. Sipas gazetës prestigjoze, në radhë për t’u larguar është edhe shefi i personelit të selisë presidenciale, John Kelly dhe zëvendësi i tij Joe Hagin. Kelly, sipas burimeve politike të cituara nga e përditshmja, në një takim me disa senatorë e ka cilësuar situatën në Krahun Perëndimor të dëshpëruar. Megjithatë, largimet eventuale duket se nuk e trembin presidentin amerikan, i cili i qëndron besnik parimit për të larguar atë që e pengon dhe atë që i thotë “jo”. Sipas atyre që nuk e njihnin Trump përpara hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë, sjellja e kreut të shtetit po përkeqësohet ditë pas dite. Ndërsa ata që kanë punuar me të edhe në të kaluarën, të cituar nga “NYT”, thonë se miliarderi nuk ka ndryshuar kurrë. E sigurt është se Trump ka hyrë në histori si presidenti që ka humbur më shumë këshilltarë pa përmbushur ende mandatin e tij të parë. Janë të paktën 30 funksionarët e kabinetit të tij që kanë dhënë dorëheqjen ose janë larguar që nga marrja e detyrës, në janar 2017. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!