Kanë luajtur edhe në Superiore, Shkëndija i blindon me kontrata të reja

schedule13:59 - 23 Qershor, 2020

schedule 13:59 - 23 Qershor, 2020

Rikthimi i Egzon Bejtullait ishte sinjali i parë që Shkëndija e sezonit të ardhshëm do të jetë konkurrente për çdo trofe në Maqedoninë e Veriut. Në mediat e vendit fqinj raportohet se kanë firmosur edhe Armend Alimi dhe Besart Ibraimi, por ende nuk ka një komunikatë zyrtare.

Sot Shkëndija e Tetovës ka konfirmuar dy emra të tjera që do të mbeten pjesë të familjes kuqezi. Bëhet fjalë për dy futbollistë që kanë provuar të luajnë në Superiore, me skuadra si Partizani e Skënderbeu. Njëri është mbrojtësi i djathtë, Mevlan Murati, kurse tjetri sulmuesi anësor, Valmir Nafiu.

NJOFTIMI – KF Shkëndija komunikon zgjatjen e bashkëpunimit me dy futbollistë. Mevlan Murati dhe Valmir Nafiu kanë pranuar ofertat e drejtuesve për rinovim dhe tashmë kanë firmosur kontratat që i mbajnë kuqezi edhe në sezonin e ri 2020/2021.

“Edhe pse kontrata paraprake afrohej ka fundi, në asnjë moment nuk kam dyshuar se bashkëpunimi do të zgjatej. Besoj se kjo skuadër në periudhën që pason do të shënojë suksese të reja”, shprehet Mevlan Murati pas rinovimit.

“Falënderoj drejtuesit për besimin e treguar dhe besoj se këtë do ta arsyetojmë me paraqitjet tona në të ardhmen. Shkëndija projekton të tjera arritje dhe unë jam i bindur se pason një periudhë shumë pozitive për klubin”, shton Valmir Nafiu.

Mbrojtësi i djathtë Mevlan Murati ka firmosur kontratë të re tre vjeçare, e cila e mban atë lojtarë të Shkëndijës deri në verën e viti 2023. Ndërkohë 1+1 vit është kontrata e re e sulmuesit të krahut, Valmir Nafiu, me drejtuesit e klubit që tregojnë se vazhdojnë të mbështeten në lojtarët e dalë pikërisht nga shkolla e futbollit Shkëndija. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!