“Kandidati, jo aktiv në politikë,” lëshon pe mazhoranca: Nëse ata kanë ndonjë emër në parlament, të na e thonë

schedule17:40 - 16 Maj, 2022

schedule 17:40 - 16 Maj, 2022

Kryeministri Edi Rama dha një deklaratë për mediat pasi seanca e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri u mbyll pa asnjë kandidat. I pyetur se më kë do të negociojnë, kreu i PS-së tha se dihet se më palë nuk negocion qeveria ndërsa shtoi me ironi që kanë mbetur “vetëm copa” dhe s’po dihet më se me kë do të bisedohet.

Rama theksoi se në tre raundet e para shumica do të presë që të ketë propozime dhe negociata, në të kundërt presidenti do të zgjidhet me 71 votat e mazhorancës.

“ Nuk kemi me kë të negociojmë. Megjithatë, presim. Nuk është e nevojshme që t’i ndajmë ne kush e kush. Dihet me kë ne nuk negociojmë. Të gatshëm të flasim me çdo palë, pjesë që do të fliste me ne. Nëse nuk duan të flasin, në raundin e katërt të përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për ta zgjedhur presidentin. Për të ardhur keq, se mund të ishte një proces më i kulturuar, më i edukuar, më i harmonizuar për ballafaqim e shkëmbim idesh. Sot nuk kemi nevojë të krijojmë konflikte ekstra apo të shpikim hendeqe ekstra, se boll janë ato që janë të trashëguara. Ne vetëm mund të shprehim dëshirën e vullnetin e të kemi durimin të ndjekim procedurën…”

Mesa duket mazhoranca do të lëshojë pe sa i përket kushtit të vendosur që kandidati të mos jetë pjesë e jetës politike. Rama tha se askush nuk është kushtëzuar. PS ka vendosur që të mos kandidojë asnjë emër nga Grupi i saj Parlamentar, por nëse Grupet e tjera do të propozojnë një personazh që është aktiv në jetën politike, sipas tij, kjo nuk përbën problem.

“S’kemi kushtëzuar askënd. Kemi thënë që kandidati për president s’do të jetë nga grupi ynë parlamentar. E vështirë të identifikosh ndonjë president të mundshëm, nëse hedh sytë te lëndinat e tjera të parlamentar.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!