Astrit Patozi e konsideron një përrallë të shpifur idenë Bashës për zgjedhjen e kandidatëve për deputet nga anëtarësia duke i dhënë fund kështu listës së kryetarit të partisë. Mirëpo ish-deputetit Patozi, Basha e ka ndryshuar këtë cikël brenda 6 vitesh që është në krye të PD-së disa herë, duke marrë shembullin gjerman, amerikan dhe tani anglez.
“Kjo është një përrallë e shpifur dhe Zoti e faltë që ia lejon që ta thotë. E ka ndryshuar këtë cikël në këto vite nga CDU-ja, te sistemi amerikani, tani anglez. Online e kishim ne. Njerëzit i çuan partisë dëshirën për të kandiduar. Unë nuk e bëra atë gabim sepse nuk kam rrjedhur akoma, por pati njerëz që shprehën dëshirën online me email dhe ndodhi ajo që ndodhi. Vetëm pas një ndjese shumë të thjeshtë dhe marrjen e përgjegjësive kaq sa kanë ndodhur në këto 6 vite mund ta justifikonte, dhe të thoshte unë do ndryshoj. Ai s’ka bërë as të parën dhe nuk do bëjë as të dytën”, tha Patozi në “Byro Politike”.
Patozi theksoi se nuk ka më lidhje me Partinë Demokratike dhe askush nuk e ka përzënë. Madje ai deklaroi se udhëheqës dhe mbështetës i kanë kërkuar të rikthehen.
“Unë jam krejtësisht i çliruar nga emocioni. Unë nuk kam më asnjë llogari të hapur me atë parti dhe nuk më ka përzënë. Askush nuk më ka thënë dhe përkundrazi më kanë kërkuar dhe më kërkojnë të kthehem. Edhe udhëheqës dhe mbështetës. Unë nga ajo parti them se nuk më lidh më asgjë sepse aty mungon lidhja elementare e bashkekzistencës së një partie politike. Është ky shkaktari dhe kur thotë që kur do e ndryshoj, pyetja është si ka mundësi që kaq reformator, një herë të erdhi rasti për të aplikuar atë sistem që kemi e aplikove në mënyrën më të keqe të mundshme duke kaluar të gjithë liderët politikë në Shqipëri nga ‘90 deri sot. Atë që bëri ky në 2017 nuk e ka bërë askush tjetër. As Fatos Nano, as Ilir Meta, as Sali Berisha, as Edi Rama, e bëri ky. Kapërceu dhe Berishën”, tha Patozi./abcnews.al