Kanceri i prostatës, mjekët: Pas pandemisë rastet më agresive

schedule15:42 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 15:42 - 2 Dhjetor, 2022

Nga Gerta Vasku

Kanceri i prostatës është i dyti tek meshkujt sa i takon përhapjes dhe i katërti për vdekshmërinë në botë. Mjekët thonë se ndonëse në Shqipëri nuk ka statistika të sakta, shifrat parashikohen të jenë në të njëjtat nivele me ato në botë dhe vitet e fundit ka rritje të të prekurve.

“Prostata është një gjëndër në traktin urinar, me kalimin e moshës kjo gjëndër zmadhohet dhe shfaqet kanceri i prostatës. Në Shqipëri nuk ka statistika të mirëfillta në lidhje me incidencën apo vdekshmërinë e kësaj sëmundje, por nuk bëjnë përjashtim nga shifrat në botë. Me ndryshimet socioekonomike që kanë ndodhur në Shqipëri, kjo krahasimesh me sëmundjet e tjera beninje ka një rritje.”

Mjeku kirurg urolog në QSUT, Bilbil Hoxha thekson se pas pandemisë kanë vënë re një agravim të rasteve që trajtojnë.

“Ajo që shohim në punën tonë të përditshme është se simptomalogjia apo klinika e të gjitha sëmundjeve është përkeqësuar post Covid-it. Na vinë raste shumë më agresive sesa më përpara. Këtë e them me siguri.”

Ky kancer prek kryesisht burrat të moshës 65-70 vjeç, megjithatë mjeku rekomandon kontrollet që në moshën 50-vjeçare, me qëllim kapjen në faza të hershme.

“Shenjat janë vështirësi në urinim, urinime të shpeshta sidomos natën dhe fillojnë edhe dhimbjet e mesit. Meshkujt e moshës mbi 50 vjeç duhet të bëjnë kontrolle.”

Në rastet e diagnostikimit të kancerit të prostatës në faza të hershme probabiliteti i trajtimit të suksesshëm të kësaj patologjie është më i lartë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!