Kanceri i gjirit, mamografi falas gjatë gjithë Tetorit

schedule16:30 - 5 Tetor, 2018

schedule 16:30 - 5 Tetor, 2018

Të sëmurat me kancer të gjirit po rriten me shpëjtësi. Vetëm nëntë muajt e parë të vitit janë regjistruar 513 paciente të reja. Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mjekët apelojnë për diagnostikim të hershëm ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë deklaroi se mamografitë do të ofrohen falas në shërbimin publik gjatë të gjithë muajit Tetor.

Pas një beteje të gjatë dhe shumë dilemash kjo zonjë tregon se ja ka dalë ta mposhtë kancerin e gjirit.

“Kam hequr gjoksin e majtë. Kam bërë kimioterapi, kam pasur dilema, probleme shumë të mëdha me jetën dhe mendova se ku do më gjenin fëmijët e mi, unë nuk do t’i shikoja më. Kam 5 vjet dhe pikërisht sot kam ardhur nëse do vazhdoj mjekimin më apo jo”, shprehet ajo.

Në shërbimin Onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë është rikthyer edhe për një arsye tjetër. Ka një mesazh për të gjitha gratë.

“Një vizitë e vogël që e anashkalon të shpëton jetën sikurse më shpëtoi mua që e kapa shumë herët”, tregon ajo.

Mjekët tregojnë se vitet e fundit gratë janë më të ndërgjegjësuara për t’i kryer këto kontrolle gjë që ka rritur efektivitetin e trajtimit.

“Po shtohen stadet e para dhe të dyta dhe po reduktohet paraqitja e grave në stadet e avancuara të treta apo të katërta. Ka një avancim shumë të dukshëm dhe shumë sinjifikant në drejtim të mjekimit të kancerit të gjirit sepse nuk është vetëm kirurgjia. Ajo paraprin, por pasohet nga një maratonë e tërë trajtimesh që shkojnë deri në një vit”, shprehet mjekja.

“Kemi mundur që të sigurojmë trajtimin në nëpërmjet herceptinës apo barit transuzimat për të gjitha gratë të cilat vuajnë dhe trajtohen për këtë sëmundje duke siguruar dy formë dozash, jo vetëm atë intravinoze, por dhe atë subkutane që është një metodë shumë e shpejtë, nuk të merr kohë dhe ofrohet gjithashtu afër afër vendbanimit në 5 kabinete që ne kemi në spitalet rajonale”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Gjatë të gjithë Tetorit që është edhe muaji ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit për të nxitur diagnostikimin e hershëm të sëmundjes mamografitë në shërbimin publik do të jenë falas. Ndërkohë do të ofrohen edhe gjatë pasdites dhe ditëve të shtuna.

“Kujdesuni për shëndetin tuaj të dashura nëna dhe motra sepse vetëm një vizitë e thjeshtë shpeshherë mund të na zbulojë një sëmudnje shumë të vështirë me të cilën do të përballohemi më tej”, tha një mjeke.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë në Shqipëri. Rastet e reja të raportuara vijojnë të rriten çdo vit. Vetëm gjatë 9-muajve të këtij viti, janë shënuar 513 raste të reja me kancer gjiri.